TIRANE– Në një prononcim ekskluziv për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’, ambasadori amerikan Donald Lu ka komentuar kapjen e 613 kg kokainë në Durrës si dhe deklaratën e pronarit të ‘Arbri Garden’ nga Gjermania se ai nuk është një ‘peshk’ i madh. I pyetur nga “News24”, Donald Lu është shprehur se Arbër Cekaj nga çdo këndvështrim është ‘peshk’ i madh dhe i ka bërë thirrje partnerëve ta arrestojnë dhe ta sjellin para drejtësisë.
“Nga çdo këndvështrim, Arbri Cekaj është një peshk i madh. Kompania e tij importoi një ngarkesë bananesh që përmbante sasinë më të madhe të kokainës në historinë e Shqipërisë. Ai është hetuar më parë për trafikim kokaine nga prokurorët shqiptarë. Ne përgëzojmë punën e prokurorëve të Krimeve të Rënda që kërkuan urdhër arrestin për zotin Cekaj. Shqipëria ka një histori të gjatë arrestimesh të ngjalave dhe injorimi të peshqve të mëdhenj. Kjo gjë merr fund sot. Ne i bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të gjejnë zotin Cekaj dhe ta dorëzojnë atë përpara drejtësisë”- tha Donald Lu.
Kujtojmë se pas kapjes së kokainës dhe arrestimit të shoferit dhe menaxherit të kompanisë, pronari i ‘Arbri Garden’, i cili u largua 3 ditë para kapjes së drogës për në Gjermani, Arbri Çekaj tha në një prononcim për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ se nuk ka lidhje me kokainën dhe do të vinte vetë në Shqipëri. I pyetur nëse ai ishte një ‘peshk’ i madh, Arbri Cekaj tha se nuk është as bretkosë dhe jo më ‘peshk i madh’.
“Do vi shumë shpejt, sapo të më thotë avokati dhe do vij në Shqipëri. Do arrestohem patjetër, pasi kështu është sistemi jonë, i gabuar. Por s’mund ta zgjidh unë. Por këtu po bëhet një supër-shoë televiziv, politik. Edhe të gjitha për ‘peshqit’. Unë nuk jam as bretkosë e jo më peshk, sepse skam fare lidhje me peshq e peshkaqenë. Por ju lutem shumë ju shqiptarët e mirë, që keni vuajtur nga korrupsioni i palëve politike që mos ta hanë këtë për peshk se s’ka fare lidhje me peshq. Policia mund ta bënte fare mirë një verifikim se e kujt ishte droga. Të priste nëse do e hapnim ne kontejnerin dhe do shkaktonim apo do shkonte në një vend të caktuar ai. Do dilte nëse ishte për Shqipërinë apo jo apo për vende të tjera dhe do dilte se kush ishin trafikantët ose punëtorët e tyre. Policia duke ditur se droga nuk është për “Arbi-Graden’ dhe reagoi në ato moment thjesht për shoë, pasi për fat të keq kjo është Shqipëria jonë”- u shpreh Arbri Cekaj.
(d.d/BalkanWeb)