TIRANË
Gazetarja Klodiana Lala zbardh për “BalkanWeb” bisedat e përgjuara të vëllait të Jan Prengës, Astrit Prengës, me familjarët e tij, pas 17 janarit, kur 49-vjeçari ishte marrë peng dhe rrëmbyer.
Siç raporton gazetarja Lala për “BalkanWeb”, në bisedat e përgjuara nga autoritetet britanike, ku ndodhet Astriti, dhe autoritetet shqiptare, dëgjohet Astrit Prenga duke iu kërkuar familjarëve të tij në Kamëz të mos flasin me policinë për rrëmbimin e 49-vjeçarit.
Gazetarja Lala tha në një lidhje direkte në “News24” se bisedat janë përgjuar nga kamera ambientale të vendosura në banesat e tyre, ku Astriti dëgjohet duke iu thënë familjarëve se “Qëndroni larg vëmendjes së policisë, mos jepni detaje për zhdukjen e Janit. Doda është mirë dhe po mbahet peng në zonën e Shijakut”.
Ndërkohë, më tej, Astriti dëgjohet duke thënë se e kishte kthyer pjesën e kokainës, që kishte marrë, dhe se po përpiqej që ta kthenin edhe miqtë e tij.
Tashmë është e provuar se Jan Prenga, për shkak të torturave dhe dhunës, ka humbur jetën, por deri më tani nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë.
Ndërkohë, gazetarja Lala tha se Prokuroria e Tiranës po sheh mundësinë për ta kaluar këtë dosje në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak se bëhet fjalë për përplasje të grupeve rkiminale për trafikim të drogërave të forta nga Ekuadori në BE, dhe pastrim parash në Shqipëri.
Kjo është një dosje që për herë të parë përfshin kaq shumë emra të njohur të botës së krimit, që kanë bërë një trekëndësh Vlorë-Shijak-Shkodër për të lëvizur tonelata që vijnë nga Amerika Latine.
(BalkanWeb)