Shqipëria do të sfidojë Çekinë dhe Gjeorgjinë në transfertë, në ndeshjet e tetorit të vlefshme për Nations League. Ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, në një intervistë të dhënë për Sport News në News 24, analizoi situatën te kuqezinjtë, në prag të këtyre takimeve të rëndësishme. Hafizi shprehet se skuadra e Sylvinhos duhet të krijojë një stil loje, pasi nuk e ka një të tillë. Gjithashtu, ai dha parashikimin e tij për 2 sfidat e radhës, ku tha se 3 pikë do ishin të kënaqshme.
Tre pikë në dy ndeshjet e para, prisje diçka më shumë profesor?
Patjetër, sidomos pas fitores ndaj Ukrainës. Ndoshta dikush do bënte llogari tjetër, mund të humbisnim ndeshjen e parë dhe të fitonim të dytën, meqë e kishim në fushën tonë. Ne kishim mundësi që të merrnim më shumë. Besoj se në ndeshjen e dytë u treguam më shumë kavalierë se ç’duhet. Pretendoja më tepër.
A ndryshon tani objektivi, sa shanse ka Shqipëria për të fituar vendin e parë në grup?
Në këto pak ndeshje që janë, humbjet nuk janë të mira. Po të bësh një humbje tjetër, je gjithmonë në pikëpyetje për vendin që dëshiron. Shanset ekzistojnë sepse janë edhe katër ndeshje të tjera. Unë mendoj që duhet të jemi pak më ndryshe. Nuk duhet të merremi vetëm me fitoren, por të krijojmë një stil loje. Nuk dihet a jemi të shpejtë, a krijojmë rastet si duhet, apo jo. Nëse do paraqitemi njësoj si në edicionin e mëparshëm, shumë gjëra do mbesin të “stakuara”. Në shumë raste, ne ia lejmë rastësisë. Ne shpeshherë provojmë nga distanca, përse ne nuk kemi mundësi të tjera, nuk kemi aftësi të tjera?
E bëj këtë pyetje, sepse pas një Evropiani të tillë, me rivalë “big”, nuk prisnim të na mposhtë Gjeorgjia në “Air Albania”, tani të gjithë presim që të jemi në një nivel tjetër. Çfarë na mungon profesor, ku çalojmë?
Nëse ne në letër kishim skuadra “big”, kur i pamë në fushë nuk i kishim “big”. Përjashtuar këtu Spanjën, që na bëri lëshim dhe luajti me skuadrën e dytë. Sërish, nuk treguam gjë. Kjo na mungon ne, ambientimi me lojën në 90 minuta. Atë ditë me ty ajo skuadër nuk është një kampione Europe, është një ekip normal. Nëse ne justifikohemi që kemi patur skuadra të mëdha përballë, nuk kemi zgjidhur gjë. Përse Polonia nuk kishte skuadra të mëdha përballë, që luajti ndaj Francës dhe Belgjikës. Përse, Gjeorgjia nuk luajti ndaj Portugalisë, madje fitoi. Gjithsesi, kapaciteti ynë është kaq. Duhet të gjesh mundësinë që të bësh një hap përpara. Grupi ekziston, le ta themi këtë. Kemi shanse që të bëjmë një harmonizim të mirë në fushë, mund të bëjmë disa skema të mira. Kemi futbollistë që luajnë në disa pozicione. Përshëmbull, në ndeshjet që kemi luajtur, në qendër të mbrojtjes kemi lojtarë të mirë. Luajtëm me Kumbullën dhe Gjimshitin, luajtëm edhe me Ajetin në Europian. Përse nuk i shfrytëzojmë këta lojtarë? Kemi kritikuar Rejën për skemën që ka, 3-5-2 ose 3-4-3. Ai nuk i kishte lojtarët për atë skemë. Sot i kemi lojtarët e duhur për këtë sistem dhe nuk i shfrytëzojmë. Kemi Mitaj që luan në krah, i jashtëzakonshëm.
Luajmë dy transferta shumë delikate, ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë, çfarë ndeshjesh pret Hafizi, cila është më e vështirë?
Të dyja ndeshjet që janë të vështira. Ndeshja e parë është më e vështirë sepse vijmë nga një humbje. Nëse dalim nga ngërçi psikologjik, jemi mirë.
Me një kundërshtar si Çekia je përballur më parë. Nëse mendon se i ke marrë 4 pikë më parë, gabohesh. Mendoj që duhet parë motivimi, nëse merr rezultat të mirë ndaj Çekisë, në ndeshjen tjetër do jesh me moralin lart.
Me sa pikë dalin? Sa pikë marrim në këto dy takime?
Nëse marrim një fitore, për mua është shumë mirë. Nëse marrim më tepër, është e jashtëzakonshme. Edhe me dy barazime, jemi në rregull, pasi janë dy ndeshje jashtë. Unë mendoj që mos të regjistrojmë shumë humbje.
Në sulm kemi vetëm Dakun qendërsulmues tipik, por Sylvinho foli dhe për një skemë me 9-ç fals, mund të luajmë me një skemë të tillë, kush mund ta bëjë atë pozicion?
Unë do kisha thënë Bajrami, me ato cilësi që ka ky lojtar. Mund të jetë ky që vjen nga mbrapa. Nëse do të vendosësh dikë mbrapa Dakut, ky është.
Një mungesë e madhe është ajo e Berat Gjimshitit, do jetë shqetësuese Hafizi?
Gjimshiti ka vendin e vet. Nuk jam shumë dakord me disa opinione që shprehin disa drejtues të skuadrës kur fitojmë ose kur humbim një ndeshje. Fituam me Gjimshitin dhe nuk u përmend mungesa e Gjimshiti. Nëse humbim me Gjeorgjinë, thamë që mungoi Gjimshiti. Ai është i padiskutueshëm, ai është më i miri i skuadrës tonë. Përvoja e tij, dëshira e tij, edukata e tij, kultura e tij sportive na ndihmon. Kemi luajtur edhe pa të, normalisht.
Një dilemë shumë e madhe është dhe krahu i djathtë, a mund t’i besohet sërish Hysajt? Apo mendoni se do të luajë me Balliun? Ju kë do preferonit?
Nëse flasim për mungesën e aktivizimit të lojtarëve në ekipet e tyre, kemi me shumicë. Kemi një paradoks, gati 80 përqind e lojtarëve nuk luajnë rregullisht me ekipet e tyre. Gjithsesi, ne pavarësisht kësaj, ne krijojmë ekipin kombëtar dhe marrim rezultat. Ne jemi të pakuptueshëm. Si rregull në skuadër kombëtare duhet të vijë një lojtar që ka minuta me ekipin ku luan. Kemi Balliun, që aktivizohet te skuadra e tij, por ka pak minuta me kombëtaren. Ndaj Gjeorgjisë skuadra ishte e lodhur. Vetëm Hoxha ishte ai që u fut titullar, të tjerët kishin luajtur në ndeshjen e kaluar.
9-E fundi profesor, jam kurioze, po ju besoni se ky ekip me këtë trajner mund të kualifikojë Shqipërinë në Botërorin e radhës?
Nations League është e vështirë, pasi edhe nëse del e para në grup, janë edhe 3 grupe të tjera që kanë të njëjtin synim si ti. Ne duhet të ndeshemi me to. Rruga është e gjatë me Nations League. Kur të hidhet shorti i Botërorit, kemi grupin me skuadra, kemi më shumë mundësi.
(J.S/BalkanWeb)