Jorida Murati, 32-vjeçarja e arrestuar pak ditë më parë si pjesë e operacionit “Oaz”, rezulton të jetë pjesëtare aktive e grupit kriminal “Bajri”. Në dosjen e siguruar për ‘BalkanWeb’ nga gazetarja Klodiana Lala, thuhet se nga transkriptet e përgjimeve telefonike, rezulton të jetë e përfshirë edhe 32-vjeçarja Jorida Murati, e cila në periudhën prill 2018-nëntor 2018, ka qenë e punësuar në spitalin e Shkodrës.

“Gjatë periudhës së muajit prill 2018, e në vijim nëpërmjet transkriptive e thirrjeve telefonike shtetësja në fjalë ka qenë tepër aktive duke mbajtur kontakte të plota dhe të qarta në lidhje me rolin e saj me të gjithë pjestarët e grupit “Bajri” duke u bërë pjesë e aktivitetit të tyre dhe e mirëinformuar në lidhje me problematikën mes tyre dhe personave të tjerë gjë e cila bëhet evidente dhe nga transkriptet e thirrjeve të realive”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Sipas organit të akuzës 32-vjeçarja Murati më shumë se një herë ka qenë në kontakte dhe takime me personin nën hetim Behar Bajri, edhe gjatë periudhës ku ai ka qenë në Holandë dhe përmes bisedave të kryera me të, të cilat tashmë janë të njohura nga Prokuroria, rezulton me rol të shumëfishtë duke marrë dhe duke zbatuar detyra të dhëna nga personi nën hetim.

“Është kjo shtetase e cila në mënyrë të vazhdueshme është përpjekur të mbajë kontakte me persona të tjerë të cilët në mënyrë të drejtpërdrejt apo dhe të tërthortë kanë patur aksesin e lejuar nga detyra për ndërhyrje dhe në saktësinë e provave të cilat janë administruar por pa arritur në një konkludim të saktë për shkak të mbajtjes nën vëzhgim të plotë nga ana e autoriteteve policore”, thuhet më tej në dosjen e prokurorisë.

DEKLARATA E POLICISË
Dokumentohen vepra të tjera penale në ngarkim të grupit të strukturuar kriminal “Bajri”.
Gjykata jep 10 masa të reja sigurie në ngarkim të pjesëtarëve të grupit kriminal, për 9 prej tyre janë ekzekutuar masat, ndërsa një shtetas është shpallur në kërkim.
Në vijim të operacionit “OAZ”, gjatë hetimeve të kryera nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Shkodër, në koordinim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në ngarkim të grupit kriminal “Bajri”, u arrit të dokumentoheshin edhe vepra të tjera penale, të kryera nga pjesëtarët e këtij grupi.

Si rezultat i hetimeve dhe provave të grumbulluara nga Policia, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar 10 masa të reja sigurie në kuadër të anëtarëve dhe lidhjeve të grupit kriminal “Bajri”.

Behar Rustemi alias Behar Bajri, 39 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Safet Rustemi, 35 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ilir Rustemi, 43 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Asmer Bilali, 30 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ismet Idrizi, 29 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Sirjan Alija, 34 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, është shpallur në kërkim, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Jorida Murati, 32 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, është ndaluar gjatë mëngjesit të sotëm, në Tiranë.

S. H., 46 vjeç, Shef shërbimesh te materniteti pranë Spitalit Rajonal në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

F. H., 48 vjeçe, banuese në Koplik, kryeinfermiere pranë repartit obstetrik në maternitetin pranë Spitalit Rajonal Shkodër, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

M. N., 50 vjeçe, banuese në Shkodër, përgjegjësë finance në Spitalin Rajonal Shkodër, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Gjatë operacionit të sotëm për ekzekutimin e masave të sigurisë, Policia ka ushtruar kontroll edhe në 6 banesa të tjera, ndër to edhe në banesën e shtetases J. M., për të cilën mëngjesin e sotëm u bë dhe ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”. Gjatë kontrollit në këtë banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi 9 000 euro.

Drejtuesi i grupit B.B ushtronte ndikim të paligjshëm në Spitalin Rajonal Shkodër, me qëllim që shtetasja J. M, e cila ishte e punësuar formalisht si infermiere në këtë spital dhe në të njëjtën kohë duke përfituar nga kreditimi i pagës.

5 nga anëtarët e këtij grupi kriminal, për të cilët sot u bë ekzekutimi i masës së re të sigurisë, janë ndaluar më parë dhe ndodhen në IEVP.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunimin dhe me njëri-tjetrin kanë përfituar shuma parash nëprmjet kanosjes dhe shtrëngimit ndaj dy shtetasve.

Departamneti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së këtij grupi të strukturuar kriminal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb