DURRES– Një tjetër pajisje që dyshohet se kryen përgjime ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar. Mbrëmjen e së dielës, autoritetet policore në Portin e Durrësit kanë shoqëruar shtetasin italian G.I, i cili po dilte nga Shqipëria me një pajisje të dyshuar si përgjuese.

Gazetarja Klodjana Lala raporton për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’  se italiani ka qëndruar për pak ditë në një zonë të frekuentuar të Durrësit dhe ditën e dielë po largohej nga vendi ynë. Ende nuk është e qartë se si ka mundur të fusë në Shqipëri këtë pajisje, e cila është pikasur vetëm kur ai ka synuar të largohet me traget nga porti i Durrësit drejt vendlindjes.

Burime policore thanë për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ se shtetasi italian ka deklaruar që pajisja shërben për matjen e cilësisë së ujit. Por deklarimet e tij sipas hetuesve janë te dyshimta, për shkak se pajisja duket qartë që kryen shërbime të tjera elektronike, të cilat nuk kanë lidhje me cilësinë e ujit.

Shtetasi italian nuk ka pranuar të tregojë se nga kush autoritet publik apo agjenci private është kontraktuar për të ofruar shërbimet e tij. Aktualisht, policia po mban të shoqëruar shtetasin italian, G.I, i cili gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri ka qenë i shoqëruar nga një zonjë, po italiane.

Tashmë pajisja është dërguar për ekspertizë pranë laboratorit shkencor dhe priten rezultatet për të përcaktuar se për çfarë shërben realisht pajisja që u gjet në posedim të italianit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb