Pasi u largua nga Tirana, Redon Xhixha luan në Azerbajxhan prej disa vitesh, te skuadra e Qarabag. Ky sezon nuk duket dhe aq pozitiv për sulmuesin shqiptar, çka ka bërë që të fillojnë thashethemet për ndonjë lëvizje të mundshme, ku emri i tij lakohet në kryeqytetin tonë, më saktë përflitet për një kalim te Partizani.
Xhixha, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, në një bisedë me Trevisa Tufën, mohoi të ketë ofertë nga të kuqtë, por nëse do vinte një propozim, do e merrte në konsideratë.
Xhixha, si po shkojnë gjerat te Karabak, a jeni i kënaqur, ishte kjo një lëvizje që do ta ribënit sërish?
Do ta ribëja sepse isha në formën më të mirë, pavarësisht se për momentin nuk po marr shumë minuta.
Keni kohë që jeni larguar, por emri juaj vijon të jetë prezent në kryeqytet, në çdo merkato, tani si është e vërteta, keni realisht oferta?
Të them të drejtat, i kam ndjekur lajmet, çdo merkato del emri im. Nuk kam patur kontakt me asnjë nga këto skuadra. Kam pyetur dhe menaxherin e më ka thënë që nuk ka kontaktuar njeri. Ato janë lajme të rreme. Nuk di që të me ketë kontaktuar dikush, as menaxherin, as mua.
Flitet për një interesim nga ana e Partizanit, do ta pranonit nëse ju vjen një ofertë e tillë?
Futbollit nuk i dihet, është i paparashikueshëm. Nëse do vijë oferta, do e mendoj dhe do vendos. Nuk di të të them diçka, pasi nuk ka ofertë konkrete.
Xhixha e ndoqe derbin e fundit, çfarë shije të la, të ka marrë malli për derbin?
E pashë, derbi është i bukur për t’u parë. Më ka marrë malli të luaj, jam lojtari që i ka dhënë fitoren e fundit Tiranës në derbi. Tiranës nuk i mungon vetëm Xhixha, por edhe shumë të tjerë.
Çfarë i mungon Tiranës, a e sheh të rrezikuar këtë sezon?
Tiranës i mungon një golashënues, i nevojshëm për të nxjerrë skuadrën nga situata në momente të caktuara. Nuk kanë patur shumë fat, duhet edhe eksperiencë. Tani lojtarët janë përshtatur.
Me aq sa e ke ndjekur, cila skuadër është më e kompletuar, kë sheh pretendenten kryesore për titull?
Mendoj se është Partizani, Vllaznia, Egnatia dhe Dinamo. Këto ekipe janë të konsoliduara dhe kanë ruajtur boshtin nga viti i kaluar. Po bëjnë mirë dhe këto do jenë 4 ekipet që do garojnë për Final Four.
Në fund Xhixha, e mbyllin aty ku e nisin, do lëvizësh në janar, cili është synimi juaj për të ardhmen?
Nuk po marr minutat e duhura, dua më shumë hapësira, nëse jo këtu, diku tjetër. Dëshira ime është të luaj, se ku nuk e di. Rëndësi ka të stërvitem dhe të gjej një zgjidhje për të ardhmen.
(J.S/BalkanWeb)