Prej vitesh infermierët nuk po marrin shpërblimin e fundvitit, në një kohë që nuk paguhen për orët shtesë në fundjavë apo në ditë festash. Problematikat ngrihen nga kreu i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, njëkohësisht infermier prej 13 vitesh, Elson Jaçaj, i cili në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” thekson se edhe rritja e pagave ka ngelur vetëm një premtim.

Ai shton se fondi i parashikuar për shpërblimet e fundvitit nuk dihet se ku shkon, si dhe më tej bën me dije se Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë dënon ashpër rastet e dhunës ndaj bluzave të bardha. Sipas Jaçaj vendi është përballë një situate alarmante ku shifrat e largimit të infermierëve po rriten e deri në fund të 2019 shumica e spitaleve si shtetërore, private, qendra shëndetësore do jenë përgjysmuar.

A paguhen orët shtesë në fundjavë apo ditët e festave për infermierët që iu duhet të jenë në vendin e punës?
Orët shtesë, ditët e fundjavës (e shtune a e diel), ditët e festave apo të fundvitit edhe pse ligjërisht duhet që të paguhen shtesë ose dyfish në të vërtetë infermierëve ju paguhet si ditë normale, pra jo vetëm janë të privuar nga festimi, por dhe nga shpërblimi.

Keni bërë ndonjë ankesë lidhur me problematikën e sipërpërmendur?
Është bërë shkresë nga ana jonë drejt ministrisë apo dhe institucioneve përkatëse spitalore, por deri më tani heshtje dhe s’ka asnjë shpjegim pse nuk paguhen kur në kontratën e punës janë të cilësuara.

A keni marrë ndonjëherë pagën e 13-të, pra shpërblimin e fundvitit?
Paga e 13 është ironia e çdo viti që luhet me infermierët. Unë kam 13 vite pune dhe mbaj mend që vetëm një herë na është dhënë 10 mijë lekë të reja shpërblim dhe ai tatohej e merrnim nga 9 mijë lekë të vjetra shpërblim. Më pas u harrua çdo gjë, ndërsa tani ka ndryshuar para 2-3 vitesh merrnim nga dy shpërblime: një kartolinë nga ministri i Shëndetësisë dhe një nga Kryeministri ku shprehnin falenderime për punën që ne bëjmë. Vjet ndryshoi, morëm vetëm një shpërblim; kartolinën e kryeministrit me vitin e Skënderbeut. Në fakt, flitet që ky shpërblim jepet për infermierët dhe realisht përveç qendrave shëndetësore që e kanë prej vitesh asnjë institucion tjetër spital universitar, bashkiak apo spital rajonal nuk u jep asnjë darkë falenderimi stafit e jo më shpërblim. Se ku shkon fondi që jepet për këtë gjë nuk dihet.

Mund të na tregoni nëse ka pasur rritje pagash për infermierët deri më tani?
Të gjithë e dimë që para pak kohësh, kur u paraqit buxheti për 2019, Ministria e Shëndetësisë dhe kryeministri publikisht thanë që do ketë rritje page për infermierët deri në 20%, gjë që s’ka ndodhur ndonjëherë e jo më larg se para disa ditësh ministria del me një deklaratë tjetër ku thotë se do ketë rritje page për infermierët deri në 7%, e cila nëse miratohet e më pas tatohet është një vlerë e papërfillshme shtesë, pra thjesht një premtim, siç bën çdo pushtet para zgjedhjeve e deri në kohën e miratimit apo hyrjes në fuqi ajo shtesë harrohet. Është e çuditshme pse çdo parti politike bën premtime vetëm në prag zgjedhjesh e më pas nuk bën asgjë ndërkohë që mund të miratohet një ligj me një rritje page për çdo kategori çdo vit dhe pavarësisht kush është në pushtet, ky ligj vihet në zbatim deri sa të ketë një rritje stabël. Tashmë të gjithë jemi mësuar me premtimet politike, por asnjë forcë politike deri më sot s’ka menduar realisht për infermierët e vetëm i kanë përdorur për fushata politike pasi përbëjnë numrin më të madh të punonjësve në shëndetësi.
Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH.al: Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb