Me qindra qytetarë vazhdojnë të largohen nga Kosova, duke përdorur autobusët për të udhëtuar fillimisht drejt Beogradit dhe më pas drejt Hungarisë. Prej aty, ata synojnë të arrijnë në vendet e Perëndimit.
Qytetarët edhe dje vraponin drejt derës të autobusit për të siguruar një vend. Gjatë shtyrjeve më keq nga të gjithë e pësonin fëmijët. Ata që rrezikonin t’i shtypnin ishin vetë prindërit e tyre. Ky është eksodi kosovar. Nuk mungojnë lotët e familjarëve që kishin dalë për t’i përcjellë të afërmit e tyre. Në stacion kishin dalë edhe të tjerë që nuk përcillnin askënd dhe shihnin me kureshtje se çfarë po ndodh.

Sipas Express, qytetarët fajin për ikjet ia lënë qeverisë dhe thonë se shkak i ikjeve është gjendja ekonomike.
“Më kanë ikë 4 anëtarë të familjes. Të gjithë këta që po ikin janë raste sociale. E përcolla mbesën. Isa Mustafa e Hashim Thaçi është më mirë të merren me eksodin sesa me Jabllanovicin”.

Por ndërsa kjo dramë po shokon opinionin publik, një qytetar i përlotur u ka bërë thirrje që të mos largohen. Ai shkoi tek stacioni i autobusëve në Prishtinë dhe u lut që të mos ikin.
“Jam në gjendje ta jap edhe jetën vetëm për t’i ndaluar këta njerëz të mos e lëshojnë vendin. Këta janë spiunët e Serbisë që po i bartin njerëzit”.

Sipas statistikave të fundit, numri i qytetarëve kosovarë që kanë dalë jashtë vendit është mbi 24 mijë dhe po vazhdon të rritet.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: