Nga: FATOS ÇOÇOLI*
Nuk ka asnjë dyshim që skema mashtruese kanë funksionuar në shtytjen e fortë të shqiptarëve (janë me dhjetëra mijëra vetë në harkun kohor të një viti) për të emigruar masivisht në Gjermani. Që këto skema kanë nxitur njerëzit jo vetëm tek ne, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal te Zi. Por prania e mashtruesve nuk është shkaku kryesor pse njerëzit tanë kërkojnë shpëtim nëpërmjet emigracionit, duke ikur nga Kukësi, Orikumi, Rrogozhina etj. Praktikisht nga e gjithë Shqipëria. Sfondi ekonomik qëndron i gjithi dhe duhet parë me shumë kujdes nga qeveria e sotme, në zgjedhjet e saj të investimeve publike, që me ndryshimin e mundshëm të Buxhetit të Shtetit në korrik të këtij viti. Kemi një Shqipëri që është botë tjetër në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Lushnjë dhe një Shqipëri tejet të varfër, të pazhvilluar e me papunësi të lartë në zonat e tjera të vendit. Dallimi, hendeku është rritur me kalimin e viteve. Është bërë më i qartë dhe më i thellë. Aq sa të shkaktojë edhe humbjen e shpresës dhe perspektivës tek dhjetëra mijëra qytetarë. Një pjesë prej tyre kanë edhe arsye politike. Sidomos qytetarët në veri të vendit. Në dy vitet e fundit u ka munguar “miku”, i njohuri në qeverinë qendrore në Tiranë. Njeriu ose njerëzit që mund t’u rregullonin fëmijët ose ata vetë në një punë në shtet, sidomos aty ku është më e lakmueshme të jetosh, në Tiranë. Edhe kjo ka sjellë një humbje drejtpeshimi të shumë simpatizantëve të partisë dje në pushtet, pjesa dërrmuese nga krahina të varfëra dhe me pak mundësi për të gjetur punë. Këta njerëz do të vijojnë të kërkojnë dëshpërueshmërisht Gjermaninë dhe një mënyrë jetese më dinjitoze për ta dhe fëmijët e tyre. Nuk ia vlen t’i etiketosh thjesht pre e një apo disa mashtrimeve. E vetmja mënyrë për t’i mbajtur këtu në Shqipëri është t’u hapësh shpresën për një vend pune, për një perspektivë më të mirë. Dhe kjo nuk mund të bëhet duke mbjellë palma gjatë autostradës Tiranë-Durrës. Si veprim është shumë i lavdërueshëm, i jep kësaj pjese të vendit një hijeshi dhe përmasë perëndimore, por do të kishte kuptim në kushtet e një Shqipërie tjetër. Ende kemi një Shqipëri që ka humbur perspektivën, tejet të varfër dhe që reformat që bien erë shtet për momentin ia kanë vështirësuar edhe më shumë jetën. Që ndihet e harruar dhe e braktisur në fatin e saj. Kjo Shqipëri meritonte që fondet për palmat e bukura rrëzë autostradës Tiranë-Durrës të shkonin për miniprojekte për bujqësinë e turizmin rural në zonat e Kukësit, Hasit, Valbonës, Pukës, Burrelit, Gramshit, etj. Që parësore në investimet e këtij viti prej 600 milionë dollarësh, të mos ishin rrugët që janë nisur e duhen përfunduar, apo investime për rrugë të tjera rurale. Rrugët mund të presin, kurse varfëria e skajshme e zonave të thella malore e kodrinore të vendit, që po boshatisen frikshëm nga njerëzit, ajo nuk pret! Ajo ka nevojë për praninë e qeverisë qendrore me paratë kryesore të investimeve publike pikërisht në Kukës dhe në fshatrat përreth tij, në Has, në Pukë, në Bajram-Curr, në Gramsh, Rrogozhinë, Tepelenë, Ersekë e deri në Delvinë. Në vendet prej më shumë se 20 vitesh të harruara nga buxheti publik i Tiranës. Dihet që donatorët e huaj e kanë të vështirë të sjellin paratë e tyre në këto vise, sepse kërkohet efekti rajonal, që këto krahina të lidhen me ato përtej kufirit. Edhe kur i sjellin, i sjellin me pikatore. Zhvillimi rajonal më i barabartë i zonave të Shqipërisë sonë është detyra më e vështirë që mund t’i jepet një qeverie qendrore dhe kjo qeveri e sotme, sikurse pati kurajo të nisë reforma të thella, duhet të gjejë të njëjtën kurajo të mos hedhë para publike aty ku nuk ka nevojë thelbësore (si puna e palmave të autostradës Tiranë-Durrës), por ku hapja e qoftë pak vendeve pune të reja nga miniprojekte në bujqësi, blegtori, turizëm dhe eksport, mund të mbajë edhe 100 mijë shqiptarë të tjerë që të mos i drejtohen kufirit pa kthyer kokën pas.


(d.d/GSH/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: