KUKËS- Fshatra e komuna të tëra në Kukës po shkojnë drejt boshatisjes. Eksodi masiv drejt perëndimit ka prekur Zapodin, Shishtavecin dhe Topojanin, të njohura ndryshe edhe si zona e Gorës, aty ku çdo ditë ka raste të banorëve që largohen për një jetë më të mirë. Edhe këtu Gjermania është një nga shtetet ku synohet marrja e një azili.  Komuna Shishtavec, ka numrin më të lartë të të larguarve drejt Gjermanisë.

Vetë banorët pohojnë se vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti janë larguar rreth 200 familje, ndërkohë që shkaku është i njëjti: skamja dhe mungesa e një vendi pune.

Tahir Bela, është një nga banorët e larguar pak ditë më parë drejt Gjermanisë sëbashku me 6 anëtarët e tjerë të familjes, duke lënë pas nënën e sëmurë në moshën 80 vjeçare. Kunata e tij rrëfen për News24, se largimi ka qenë e vetmja mundësi, përballë kushteve ekstreme të varfërisë dhe një shtëpie të rrënuar.

Të larguarit janë të shumtë, kjo vihet re edhe tek shkolla e mesme e bashkuar në Shishtavec ku vite më parë ishin më shumë se 700 nxënës sot është reduktuar në dhjetëra të tillë, ndërkohë që klasa e parë frekuentohet vetëm nga dy nxënës, nuk ka asnjë fëmijë të klasës së dytë e  numërohen me gishtat e dorës nxënësit deri në klasën e pestë të cilët janë grupuar në një klasë të vetme.

Burime nga gjendja civile në Shishtavec bëjnë me dije se në 7-vjeçarin e fundit nuk është shënuar asnjë lindje, kjo edhe për shkak se kjo zonë popullohet më së shumti nga të moshuarit, për shkak se të rinjtë janë larguar

Banorët theksojnë vazhdimisht se ndihen të harruar dhe se kanë dështuar edhe në të vetmen mundësi për mbijetesë, prodhimin e patates, një produkt karakteristik i kësaj zone

Premtimi për azil ekonomik përbën një joshje edhe për banorët e mbetur në këto zona

Edhe gjatë këtyre ditëve kanë vijuar radhët e gjata në zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike. Aplikantët janë kryesisht të rinj apo familje të zonave që disa ditë më parë ishin të izoluar për shkak të dëborës, si Shishtavec, Topojan, Surroj, Bushtricë etj.

Vetëm në tre muajt e fundit janë lëshuar më shumë se 1700 pasaporta në të gjithë qarkun e Kukësit ndërsa nga janari 2015 e deri më datë 8 prill të këtij viti janë larguar rreth 4 mijë banorë të këtij qarku.  Fenomeni i eksodit vihet re edhe në auditoret e universitetit të Kukësit, ku këtë vit mungojnë më shumë se 40 studentë, që mësohet se janë larguar drejt Gjermanisë.

Janë disa mënyrat sesi arrihet drejt Gjermanisë nga qarku i Kukësit.  Nëse do të ndiqet rruga tokësore, të rinjtë apo familjet kuksiane ndjekin linjën: Prizren, Shkup, Serbi, Hungari Austri dhe më pas në Gjermani dorëzohen në zyrat e refugjatëve. Ndërkohë që janë jo të paktë ata që dalin nga Shqipëria përmes Portit të Durrësit.  Një shumicë e familjeve, që kanë të afërm në Gjermani deklarojnë se përfitojnë përmes një garancie të dërguar prej aty dhe mund të shkojnë brenda 24 orëve në shtetin Gjerman, duke bërë një ndalesë vetëm në Itali. Çdo person duhet të paguajë rreth 200 euro për biletën e udhëtimit. Burime pranë zyrave të pajisjeve me pasaporta bëjnë të ditur se  po ruhet ritmi i lartë i aplikimeve që kalon mbi 100 aplikime në ditë . Nuk ka asnjë dyshim se shumica prej aplikuesve po i marrin pasaportat për të emigruar në vendet perëndimorë, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër. Kjo ikje masive me shpresën e përfitimit të azilit, ka bërë që të nisë një “eksod i ri”, që vjen si pasojë e një fenomeni të vetëm, varfëri.  Shishtaveci por edhe zona e Gorës në përgjithësi është klasifikuar si zonë me resurse të mëdha turistike por të pashfrytëzuar deri më tani ndërsa qarku i Kukësit sot zyrtarisht klasifikohet si më i varfëri në vend më papunësinë më të madhe në vend.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: