TIRANË- Embargoja e vendosur nga Rusia pak ditë më parë për perimet shqiptare, ka bërë që ekspertë nga Ministria e Bujqësisë të nisen drejt Moskës për të biseduar.

Ndërkaq Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti deklaroi se brenda dhjetorit çështja e embargos ruse ndaj prodhimeve shqiptare do të zgjidhet. Embargo ka hyrë në fuqi më 8 dhjetor 2014 dhe sipas ministrit Panariti, nuk ka dhënë ende asnjë efekt tek fermerët shqiptarë.

“Nuk mendoj që ka dhënë një impakt kaq shpejt, aq më tepër që volumi i eksporteve tona në Rusi nuk është aq i madh sa të ndikojë shumë në mosevadimin e prodhimeve shqiptare. Kjo çështje do të mbyllet para fundit të vitit dhe ne shpresojmë shumë që të rihapet ky eksport ndaj tregut rus”, tha Panariti.

Ministri i Bujqësisë tregoi se ka pasur një tendencë rritje drejt tregut rus, për shkak se prodhimet shqiptare janë të freskëta dhe kanë ngjallur interesin edhe të importuesve rusë.

“Harta jonë e eksportit është shumë më e gjerë se sa eksporti ndaj Rusisë. Ne eksportojmë në 18 vende. Orientimi ynë është i qartë, ne duam kryesisht partnerë kryesor të kemi Bashkimin Europian”, tha Panariti.

Ai deklaroi se certifikata fitosanitare, që u bë shkak për vendosjen e bllokimit nga Rusia, nuk falsifikohej në Shqipëri, por në një vend fqinj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb