Shkeljen e ligjit të mjedisit nga koncesionari i landfillit te sharrës ‘Integrated Energy” B.V, përvec biznesmenëve e denoncojnë edhe ekspertët e mjedisit. Specialisti i mjedisit Agron Lamko i cili për vite të tëra është marrë me cështjen e mbetjeve në ministrinë e mjedisit thotë se vendimi i këshillit të ministrave i vitit 2015, i cili i referohet menaxhimit të mbetjeve inerte, bie në kundërshtim me ligjin e mjedisit, ku dherat nuk cilësohen mbetje dhe si të tilla nuk duhet të përfundojnë  në landfill.


“Vendimi i Këshillit të Ministrave i detyron këto por VKM bie në kundërshtim me ligjin e mjedisit. Ato nuk janë mbetje të rrezikshme dhe as mbetje urbane. VKM që i detyron kompanitë private të paguajnë për dorëzimim e mbetjeve të tyre inerte në landfill është i gabuar dhe është në kundërshtim me ligjin e mjedisit që parashikon që dherat duhet të shërbejnë për rehabilitimin e tokave jo produktive kurse inertet meqënëse nuk ka vend tjetër atëherë keto mund t’i cojnë në Sharrë për të mbuluar plehrat. Ligji i mjedisit i përjashton dherat dhe thotë që dherat riciklohen duke i përdorur për rehabilitimin e tokave jo produktive.” -shprehet Lamko



Sipas ekspertit Agron Lamko, nuk ka asnjë arsye se përse ndërtuesit duhet të bëjnë një odise kaq të gjatë duke paguar për shkarkimin e dherave të pakontaminuar në landfill dhe më pas të paguajnë sërish për t’i marrë ato.

“Përsa i përket dherave të pastra të germimeve ato mund të shfrytezohen shumë mirë për rehabilitimin e tokave për të pasur një produktivitet më të madh. Unë mendoj që këto kompani s’kanë pse të paguajnë. Ata paguajnë transportin që cojnë deri aty dhe s’kanë pse të paguajnë sepse ajo iu shërben këtyre kompanive dhe nuk është e drejtë.” -vijon ai

Edhe eksperti i mjedisit Sazan Guri thote së dherat që nxirren nga gropat e ndërtimit, nuk janë mbetje dhe nuk janë të rrezikshme. Duke e cilësuar një taksë të fshehur atë që koncesionari iu merr ndërtuesve, Guri thotë se qeveria dhe bashkia po shkelin ligjet.

“Në këto kushte jemi përball një shkelje flagrante të ligjeve shqiptare dhe europiane. Aq më tepeër që jemi në nje rast koncensionari të vetëm që do të thotë bashkia dhe qeveria e e detyron ndërtuesin dhe familjarin privat që atë dhe i ndotur apo i pandotur ta dërgoj në destinacion sic është rasti I sharrës sot.” Thotë Guri

Dy ditë më parë News24 denoncoi faktin se termat e përcaktuar në vendimin e këshillit të ministrave të vitit 2015 që i referohet menaxhimit të mbetjeve inerte, nuk bazoheshin në në direktivën e  Bashkimit Europian. Sipas direktivës së Bashkimit Europian dherat e gërmuara gjatë aktiviteteve ndërtimore janë të pakontaminuara dhe si të tilla nuk duhet të kategorizohen si inerte, por një mall që mund të përdoret edhe për veprimtari të tjera. Nëse direktiva e BE do të ishte zbatuar, ndërtuesit nuk do të ishin të detyruar të shkarkonin dherat në Landifill duke paguar dhe më pas ti riblinin ato për t’I përdorur në investime të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb