Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë akuzuar Izraelin për kryerjen e akteve gjenocidale dhe përdorimin e dhunës seksuale si një strategji lufte kundër palestinezëve në Gaza.
“Autoritetet izraelite kanë shkatërruar pjesërisht kapacitetin riprodhues të palestinezëve në Gaza si grup, duke përfshirë vendosjen e masave që synojnë parandalimin e lindjeve, një nga kategoritë e akteve gjenocidale në Statutin e Romës dhe Konventën e Gjenocidit”, tha Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Kërkimit të OKB-së për Territorin Palestinez të pushtuar dhe Jerusalemin Lindor.
Ai tha se Izraeli shkatërroi sistematikisht objektet e kujdesit shëndetësor të grave gjatë konfliktit në Gaza.
Komisioni deklaroi se këto veprime, së bashku me rritjen e vdekjeve të nënave për shkak të aksesit të kufizuar në furnizime mjekësore, përbënin krimin kundër njerëzimit të shfarosjes.
Raporti akuzoi forcat izraelite të sigurisë se i kanë bërë kontrollet e detyruara në zhveshje publike dhe sulmet seksuale pjesë të procedurave të tyre standarde për të ndëshkuar palestinezët pas sulmeve të udhëhequra nga Hamas në Izraelin jugor në tetor 2023.
Misioni i përhershëm i Izraelit në OKB në Gjenevë hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar ato si të njëanshme dhe pa besueshmëri.
“IDF (Forca e Mbrojtjes e Izraelit) ka direktiva konkrete … dhe politika që ndalojnë pa mëdyshje një sjellje të tillë”, u përgjigj në një deklaratë misioni i përhershëm në OKB në Gjenevë, duke shtuar se proceset e tij të rishikimit janë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Izraeli është nënshkrues i Konventës së Gjenocidit dhe u urdhërua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në janar 2024 që të ndërmarrë hapa për të parandaluar aktet e gjenocidit gjatë luftës së tij kundër Hamasit.
Megjithatë, Izraeli nuk është palë në Statutin e Romës, i cili i jep Gjykatës Ndërkombëtare Penale juridiksion mbi çështjet penale individuale që lidhen me gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit.
Afrika e Jugut ka ngritur një çështje gjenocidi kundër veprimeve të Izraelit në Gaza në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Lufta e Izraelit në Gaza, e cila filloi më 7 tetor 2023, ka vrarë më shumë se 48,000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës.
(A.A/BalkanWeb)