Aplikacioni i famshëm “FaceApp”, i cili u ofron përdoruesve një vështrim në atë se si mund të duken ata në të ardhmen, ka ngritur shqetësime të shumta për privatësinë, thonë ekspertët.

E zhvilluar nga kompania ruse “Wireless Lab” në vitin 2017, “FaceApp” ka një mënyrë algoritmike për të gjeneruar transformime shumë realiste të fytyrave në fotografi duke përdorur inteligjencën artificiale.

Aplikacioni ka pasur një efekt ortek në mediat sociale duke u mundësuar njerëzve të duken më të rinj, më të vjetër apo edhe të ndryshojnë gjininë e tyre.

“Kur e shkarkoni aplikacionin, ai mund të hyjë në të dhënat tuaja private, galerinë e fotove, adresën email, në numrin e telefonëve apo edhe në llogarinë tuaj bankare. Kështu që ju u lejoni të tjerëve të futen në hapësirën tuaj personale duke shkarkuar aplikacionin”, tha Ali Burak Daricili nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Teknik të Bursas, në Turqi.

Daricili, tha se nevojitet një studim intensiv për të përcaktuar se pse ky aplikacion u bë i famshëm në mënyrë të papritur.

“Kjo mund të mos jetë një çështje shqetësuese për qytetarët e zakonshëm, por nëse jeni një zyrtar i lartë shtetëror ose inxhinier, motivet, dobësitë ose orientimet tuaja seksuale mund të zbulohen”, thotë Daricili, duke shtuar se këta njerëz mund të kërcënohen me të dhënat e tyre personale nga abuzuesit, duke i detyruar përdoruesit që në fund të bëhen spiunë.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb