TIRANE- Fuçitë dhe solucionet e ndryshme, të gjetura dhe sekuestruara në magazinat e Xibrakës, të përshtatura në laborator droge, kanë brenda tyre përmbajte kokaine.Kjo është përgjigjia e ekspertëve të Laboratorit të Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme, të cilat kanë dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda përgjigjet e analizave të kryera.

Sipas ekspertëve, në magazinat e Xibrakës janë sekuestruar rreth 60 fuçi 200-litërshe, të mbushur me solucion të ndryshëm, ku në brendësi të rreth 20 fuçive janë konstatuar përmbajtje të lartë kokaine.

Ekspertët thonë se përmbajtje kokaine janë gjetur edhe në enët e tjera me solucione të ndryshme që janë sekuestruar në këtë magazinë të përshtatur si laborator të përpunimit të drogës. Sipas ekspertëve, solucioni i gjetur brenda këtyre fuçive dhe enëve kalonte në një proces kimike, përmes ndërhyrjes së prekursorëve dhe substancave të tjera kimike që të nxirret përmbajtja e kokainës.

Këtë procedurë, sipas hetuesve, e kryenin dy kolumbianët tashmë të arrestuar Walter Moreno dhe Cesar Avila.

Burimet thonë se në raport, ekspertët kanë nënvizuar se nuk mund të përcaktohet sa është sasia e kokainës në këto 20 fuçi apo enët të tjera. Por ata kanë theksuar se solucioni që ndodhet brenda këtyre enëve tregon se ka përqindje të lartë të kokainës, që mund të kapë shifrën e miliona eurove pas përpunimit dhe nxjerrjes së ekstraktit të drogës.

ABCNews ka mësuar se Prokuroria e Policia e Shtetit ende nuk kanë arritur të provojnë se kur dhe nga kanë hyrë në Shqipëri këto fuçi e enë të ndryshme të mbushur me solucion që kanë përmbajtje të theksuar kokaine. Burimet thonë se doganat shqiptare nuk kanë të evidentuar në asnjë pikë të kalimit kufitar hyrjen e këtyre fuqive, çka lind dyshimet se ata mund të kenë hyrë kontrabandë nga rrjeti i ngritur për përpunimin dhe trafikimin e kokainës.

Nga ana tjetër, burimet zyrtare i thanë ABCNews se ekspertët nuk kanë gjetur mbetje të kokainës në thasët e ardhur nga Bolivia me mbishkrimin e plehut kimik apo rrobat e sende të tjera të gjetur në laboratorin e Xibrakë.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda është në pritje edhe të përgjigjeve të autoriteteve të drejtësisë gjermane, të cilët kanë marrë mostra të solucioneve të gjetura në laborator për ekzaminim.

Hetuesit thonë se pala gjermane, për llogari të hetimeve të tyre, kanë marrë mostrat për ekzaminim, por nga prokuroria shqiptare i është kërkuar t’i vënë në dispozicion prova të tjera të mundshme që kanë dhe përgjigjet e këtyre ekzaminimeve.

Por edhe pse është nisur letër-porosia drejt Gjermanisë, ende nuk ka një përgjigje nga autoritet përkatëse, të cilët ishin ata që sollën informacionin paraprak për ngritjen e një laboratori droge në Shqipëri e ku në fillim të janarit u arrestuan 9 persona. (ABCNews)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: