Grusht shtetit ushtarak në Sudan ishte në fokus të shteteve perëndimore dhe disa shteteve arabe që dëshirojnë të kenë nën kontroll resurset natyrore, thonë ekspertët.

Boris Dolgov, që shërben si studiues i lartë në Institutin e studimeve orientale në Akademinë e Shkencave të Rusisë thotë se perëndimi qëmoti mundohet të largojë nga pushteti presidentin e Sudanit, Omar Al-Bashir.

“Sudani është një vend ekstremist i pasur me resurse të naftës, që tërheqin vëmendjen e shumë shteteve perëndimore që nuk kanë apo kanë harxhuar resurset e tyre andaj mundohen të marrin nën kontroll resurset e shteteve tjera”, thotë ai.

Dolgov thotë se ndarja e shtetit që ishte më i madhi në Afrikë, ishte pjesë e projektit të njëjtë, rezultatet e të cilit po i shohim sot.

“Ata tashmë kanë qasje në rezervat e Sudanit të Jugut, tani është radha e Sudanit. Pasi ushtria tani ka orientim properëndimor, është e logjikshme që ne së shpejti do të lexojmë lajmet se kompani perëndimore kanë marrë leje për shfrytëzim të minierave në Sudan”, thotë ai.

Dolgov thotë se vetë al-Bashir është një “figurë kontroverse”, por që mundohet të ndjekë një “politikë të pavarur”.

“Bashir u izolua nga perëndimi, ai madje është i kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Shteti u sanksionua shumë herë, gjë që rezultoi në përkeqësimin e ekonomisë. E gjitha kjo ishte bërë me një qëllim të qartë”, tha Dolgov.

Shërbimet speciale të UAE e mbështetën grusht shtetin ushtarak në Sudan

Drejtori i “think-tank-ut” ndërkombëtar “Voice of Africa”, Engin Ozer për AA thotë se largimi i Bashir-it nga pozita u bë për disa shkaqe.

“Sudani është dëshmitar i ndryshimeve serioze të bashkëpunimit ushtarak në vitet e fundit. Presidenti Omar al-Bashir nënshkroi marrëveshje me Rusinë, duke i lejuar baza ushtarake në Sudan”, tha Ozer, duke shtuar se al-Bashir gjithashtu ishte dakorduar për ndërtimin e një baze ushtarake detare turke në Suakin, për të “balancuar interesat në rajon”.

Ai theksoi se Suakin ka një pozitë strategjike si qytet-port në një rutë detare të rëndësisë së veçantë në Detin e Kuq, ku tankerët mbajnë naftë nga gjiri Persik. SHBA-të, Franca, Kina dhe Arabia Saudite kanë baza ushtarake në Djibouti për të mbrojtur rutën detare.

“Plani strategjik turk ishte të ndërtojë bazë ushtarake detare në Suakin. Për Turqinë, kjo do të ishte baza e tretë ushtarake në rajon. Një në Doha, një në Mogadishu, Somali dhe tjetra në Suakin. Nëse e shikoni lokacionin e këtyre bazave në hartë, do të shihni se ata formojnë një ‘trekëndësh turk’”, tha Ozer.

Ai theksoi se politika e Turqisë në rajon është që të sigurojë baraspeshë të fuqisë për të mundësuar siguri.

“Qëllimi kryesor i Turqisë është që të mbrojë miqtë dhe vëllezërit e sajë. Por kjo shkaktoi shumë pakënaqësi në UAE dhe në Arabinë Saudite. Ka konfirmime se shërbimet speciale të UAE kanë punuar për dy vite për të përgatitur opozitën sudaneze për protesta dhe demonstrata”, tha Ozer.

Ai thotë se Egjipti e ka mbështetur grusht shtetin ushtarak për shkak të kontestit territorial me Sudanin.

“Rusa dhe Turqia kanë punuar në mënyrë aktive në Sudan, veçanërisht me minierat e arit, që ka një domethënie të veçantë në luftën kundër diktaturës financiare perëndimore në shekullin e 21-të. Për Turqinë dhe Rusinë, Sudani ishte shteti më i afërt dhe më miqësor në Afrikë. Bashkëpunimi mes Rusisë dhe Turqisë në Afrikë filloi në Sudan”, tha ai.

Ozer parashikon se qeveria e re do të jetë e afërt me perëndimin. Ai gjithashtu thekson shqetësimet se Rusia dhe Turqia mund të humbasin pozitën strategjike në Sudan.

Vitin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi zhvillimet pozitive në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Sudanit gjatë një takimi me presidentin sudanez al-Bashir në Moskë.

Al-Bashir falënderoi Putinin për rolin e Rusisë në përforcimin e ushtrisë sudaneze dhe kundërshtimin e Britanisë në Këshillin e Sigurisë rreth tërheqjes së forcave të Kombeve të Bashkuara-Misionit të Unionit Afrikan në Darfur.

Administrata e presidentit rus dhe Ministria e Jashtme e Rusisë kanë dënuar grusht shtetin ushtarak pas çka al-Bashir u detyrua të tërhiqet nga pozita.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb