Është shtyrë seanca gjyqësore për Arbër Paplekajn, që akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për Balkanweb se Gjykata e Apelit konstatoi se kërkesat e gjykatës nuk janë plotësuar nga ekspertët.

Akti është i paplotë. Gjykata i kërkon ekspertëve të këqyrin edhe pamjet filmike, si edhe të përcaktojë vendosjet e 2 prej personave në ngjarje.

Po ashtu, i paplotë është edhe përcaktimi i distancës mes viktimave dhe secilit qitës, si edhe mes qitësve nga njëri-tjetri.

Seanca e radhës do të mbahet më 7 maj, ora 12:00.

Ekspertiza e re tekniko balistike për ngjarjen e 21 prillit 2023 në Elbasan, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare ku ish oficeri i RENEAS Arbër Paplekaj akuzohet se vrau mjekun psikiastër, Pjerin Xhuvani është e pasaktë dhe e paplotë. Ekspertët Shpëtim Budo, Arjan Hako dhe Artan Rexhepi të cilët u caktuan nga gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për të rindërtuar skenën e krimit dhe percaktuar mekanizmin e ngjarjes, pranuan se akti ishte bazuar në dokumentat e përpiluara në momentet e para pas krimit, të cilat sipas tyre kanë rezultuar të pasakta dhe vendngjarja ka qenë e kontaminuar. Eksperti Budo tha fillimisht se akti ishte i saktë, bazuar në të dhënat që kishin në dispozicion, ndërsa konfirmoi se nuk kishte ekzaminuar pamjet filmike të vendit të ngjarjes.

“Kqyrja e vendit të ngjarjes ka shumë mangësi. Një akt i ndërtuar mbi këto të dhëna do të ketë probleme, por është i ndërtuar mbi ato të dhëna që kishim. Si pikë referimi ne morëm përqëndrimin më të madh të gëzhojave, por aty ka edhe gëzhoja të tjera. Unë nuk e di se cfarë soft-i ka kolegu, por ne nuk kemi bërë ndonjëherë kqyrje përmes pamjeve filmike. Nuk mund të flasim me saktësi për distancën në metra mes qitësit 1 dhe qitesit 2. Ne kemi vendosur maksimumin, 11 metër, por mund të jetë edhe më afër”, theksoi ai.

Pyetja thelbësore e trupës gjykuese ishte se a është i plotë akti, për sa kohë ekspertë nuk ekzaminuar pamjet filmike? Artan Rexhepi tha se nuk kishin kohë për ta bërë një gjë të tillë. Ekspertët Hako e Budo nuk kanë mjete dhe njohuritë e duhura për pamjet filmike.

“Kam 40 vjet përvojë, nuk kam bërë ndonjëherë akt ekspertimi bazuar në pamjet filmike. Nuk arrihej të përcaktohej mbi bazën e tyre se ku ishin pozicionuar personat që qëlluan dhe sa larg njëri-tjetrit ishin”, tha Budo.

Artan Rexhepi vijoi të theksonte se vendngjarja është e kontaminuar, ndaj akti duhej plotësuar.

Pasi u tërhoq në dhomën e këshillimit, Gjykata e Apelit konstatoi se kërkesat e gjykatës nuk janë plotësuar nga ekspertët. Akti është i paplotë. Gjykata i kërkon ekspertëve të këqyrin edhe pamjet filmike, si edhe të përcaktojë vendosjet e 2 prej personave në ngjarje. Gjykata kërkoi prej tyre të përcaktojnë distancës mes viktimave dhe secilit qitës, si edhe mes qitësave nga njëri-tjetri. Arbër Paplelaj është dënuar me 22 vite burgim nga gjykata e Elbasanit për vrasjen e Xhuvanit. Fajtor janë shpallur për shpërdorim detyre dhe dy ish nëndrejtorët e policisë si dhe 6 oficerë të forcave Shqiponja. Pjerin Xhuvani u qëllua për vdekje, teksa ndodhej pjesë e grupit që mbështeste Partinë Socialiste dhe u përplas më strukturën për mbrojten e votës së Partisë Demokratike.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb