NGA KLODIANA LALA*

TIRANË- Hetimet për skandalin “CEZ-DIA” janë ve- tëm një hap larg mbylljes. Prokuroria e Tiranës 48 orë më parë ka marrë në duar akt-ekspertizën e kryer nga dy ekspertë, të cilët kanë bërë verifikimet përkatëse ndaj dy kompanive të Kastriot Ismailajt, kompanisë “DIA”, e cila ishte dhe e nënkontraktuar për mbledhjen e borxheve të CEZ-it, dhe kompanisë “Adriatic Develoment Corporation LTD”.

Në raportin prej më shumë se 30 faqesh, që tashmë po studiohet nga grupi hetimor, në krye të të cilit ndodhet prokurorja Antoneta Sevdari, ekspertët kanë hedhur dritë mbi çdo qindarkë të qarkulluar nga kompanitë e Ismailajt, i cili ndodhet prej gjashtë muajsh prapa hekurave, për akuzat e “mashtrimit” dhe “pas-trimit të parave”. Ekspertët mësohet të kenë verifikuar çdo transaksion të kryer nga kompanitë e Ismailajt, “DIA” dhe “ADC”, si dhe kanë hartuar një raport të detajuar lidhur me mënyrën jo vetëm se si janë përfituar paratë, por edhe nëse ka pasur shpenzime.

Gjithashtu, në raportin voluminoz, që do jetë një ndër provat kryesore në procesin gjyqësor ndaj administratorit të “DIA”-s, janë zbardhur edhe emrat e kompanive që kanë marrë para nga Ismailaj. Këto detaje janë nxjerrë në dritë nga ekspertët jo vetëm nga dokumentet bankare, por edhe nga dokumentacioni i marrë nga Drejtoria e Tatimeve, si dhe të dhëna nga institucione të tjera. Në raport thuhet ndër të tjera se, Ismailaj ka kaluar para në llogari të të paktën tetë kompanive të tjera, në një kohë që këta të fundit nuk kanë kryer shërbime për llogari të tij.

Gjithashtu, ai rezulton të ketë marrë të paktën 5 milionë euro nga kompania CEZ, në kohën kur ishte kontraktuar për mbledhjen e borxheve, por nuk figuron të ketë kryer asnjë shërbim. Pra gjithë paratë, theksojnë ekspertët, janë produkt i një skeme mashtrimi. Përfundimi i ekspertëve, e rëndon jo pak pozitën e Ismailajt, i cili deri më tani, ndonëse ka gjashtë muaj në qeli, nuk ka preferuar të japë shpjegime për prokurorinë. Nuk dihet nëse administratori i “DIA”-s do vendosë të flasë në momentin kur prokurorja Sevdari do të shkojë në qelinë e tij, për t’i komunikuar zyrtarisht akuzat.

Hetimet për Hajsek
Kastriot Ismailaj dyshohet se ka bashkëpunuar me ish-kreun e bordit të drejtorëve të “CEZ Shpërndarje”, Josef Hajsek, i cili gjithashtu është nën hetim. Në fakt, dosja është ndarë, për shkak se Hajsek po hetohet në gjendje të lirë, ndryshe nga Ismailaj, që është nën arrest. Por ndërsa prokuroria ka përparuar, në hetimet ndaj çekut Hajsek, për momentin është në ngërç, pasi nuk po mundet të përkthejë dosjen voluminoze në gjuhën çeke, me qëllim që t’ia vërë në dispozicion personit nën hetim.

Një burim i prokurorisë tha për “GSH”, se dy përkthyes të licencuar të gjuhës çeke nuk kanë qenë të gatshëm për të vazhduar me përkthimin, pasi kanë qenë të angazhuar me çështje të tjera, ndaj ende dosja ndaj Hajsek nuk është përgatitur. Nga hetimet e deritanishme rezulton se Ismailaj dhe ish-kreu i bordit të drejtorëve të “CEZ Shpërndarje”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ngritur një skemë mashtrimi duke përfituar miliona nga kompania CEZ. Hetimi për skandalin “CEZ-DIA” po vijon prej më shumë se një viti.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb