Ditmir Bushati në podcastin e tij Public Square diskutoi me Edward P. Joseph, nga shkolla për studime të thelluara ndërkombëtare të Johns Hopkins

Bushati dhe Joseph diskutuan mbi rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë duke konfirmuar prirjen që është vënë re në këtë vit zgjedhor ku njerëzit pothuajse anembanë botës kanë zgjedhur ndryshimin përkundrejt atyre që janë në detyrë. Shumë po përpiqen për ta analizuar bardh e zi këtë ngjarje me përmasa të rëndësishme jo thjesht për amerikanët por për mbarë botën, edhe pse është ende herët, edhe pse Donald Trump nuk ka fillur zyrtarisht ende detyrën si president i SHBA-ve.

Duke analizuar situatën e fitores së Trump nga këndvështrimi i brendshëm, Joseph rendit disa arsye që kanë të bëjnë me “figurën e spikatur” të Donald Trump, i cili është pasqyrim i një perspektive të rëndësishme të një mazhorance të re të zgjedhësve amerikanë, ai vjen në drejtimin e vendit me një eksperiencë të mëparshme dhe me një ekip të ri më i orientuar ideologjikisht për t’a përmbushur agjendën e Trump në krahasim me Mike Pence.

Bashkëbiseduesit u ndalen dhe tek situata në të cilën bota po përballet me dy konflikte madhore. Njëri në Europë, agresioni rus ndaj Ukrainës, për të cilën Trump është zotuar t’i japë fund brenda një dite dhe tjetri në Lindjen e Mesme. Sipas Joseph, këndvështrimi i tyre për botën është se: ‘Kina është kërcënimi kryesor’. Por ndryshe nga demokratët që e shohin luftën në Ukrainë si një testim të cilin Kina e vëzhgon, bota e Trump e konsideron si shpërqendrim, pasi mendon se po përdorim të gjitha municionet dhe rezervat, ndërkohë që na duhet të shkojmë në luftë me Kinën.

Aleanca SHBA- Europë apo me NATO-në është një tjetër pyetje që ngrihet për Presidencën e Trump. Ajo që mund të thuhet deri më tani është sjellja, qëndrimi i tij ndaj aleancave. “Amerika e para” edhe si koncept sinjalizon neglizhencë ndaj aleancave. Këta janë njerëz të pavlerë, të mërzitshëm dhe problematikë, janë njerëz që nuk ngrenë zërin. Nuk ua kemi nevojën. Nuk kemi nevojë të konsultohemi me ta. Pra, ai nuk vepron me frymën e një aleati. Dhe ai nuk e kupton dhe as nuk e vlerëson çfarë SHBA-të përfitojnë duke i prirë një aleance si NATO-ja.

Cilat do të ishin pasojat nga mosangazhimi i SHBA-ve në rajonin tonë në aspektin e sigurisë dhe të demokracisë?

Sipas bashkëbiseduesve, SHBA-të janë shtylla kurrizore, themeli i stabilitetit në rajon, sepse SHBA-të e shprehin garancinë e sigurisë me anë të NATO-s. Kjo krijon themelin e sigurisë në rajon dhe vendos një barrierë ndaj cilitdo që bën përpjekje për përshkallëzime të mëdha. ndonëse kjo mund të mos jetë 100% e vërtetë pasi kemi rastin e Beogradit me Banjskën. A do ta ndryshojë Trump këtë gjë që në ditën e parë në detyrë? Në administratën e parë Trump, ata nuk hoqën financimet ndaj gjithçkaje në lidhje me këtë, dhe shumë prej këtyre gjërave vijuan. Por unë nuk e di nëse mund ta themi këtë. Dhe ne e dimë me siguri se udhëheqësit autokratikë, si Viktor Orbán dhe Aleksandar Vučić dhe të tjerë, po festojnë haptazi fitoren e Trump.

Gjatë kësaj bisede, Bushati parashtroi disa pritshmëri të politikanëve të rajonit që lidhen drejtpërsëdrejti me ardhjen e Donald Trump sic janë: së pari, pritshmëritë nga ata që janë në pushtet, në detyrë, se do t’i kenë duart më të lira veçanërisht me drejtësinë, median dhe grupet e shoqërisë civile. Së dyti, pritshmëritë se do të rishikohet lista e sanksioneve e përgatitur nga Departamenti i Shtetit. Personat si Milorad Dodik, për shembull, i cili u shtua në listën e sanksioneve gjatë administratës së parë të Donald Trump. Së treti, ekziston pritshmëria se Dhomat e Posaçme në Hagë (Gjykata e Posaçme e Kosovës), do të shpërbëhen dhe prokurorët amerikanë do të largohen nga detyra. Dhe së katërti, ekziston gjithashtu pritshmëria se Ballkani mund të përdoret disi si terren, ose si testim për t’u afruar me Rusinë apo fuqi të tjera të mëdha në botë.

  • Edëard P. Joseph është një ekspert me eksperincë mjaft të gjatë në rajonin tonë, pasi ka shërbyer për shumë organizata ndërkombëtare dhe së fundmi shkruan analiza të shumta dhe merr pjesë në forume të ndryshme që zhvillohen përsa i përket rajonit tonë dhe raporteve me SHBA-të

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb