Helmimi i zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë numërimit të votave, pas hapjes së zarfeve të ardhura nga Serbia, eksperti i sigurisë Avni Islami e konsideron si një sulm kimik-biologjik ndaj një institucioni, por edhe vetë Kosovës.

Islami në një prononcim për Telegrafin ka thënë se “letrat helmuese, të ardhura nga Serbia dhe gjithçka e keqe që vjen nga ky shtet nuk do të duhej të ishin befasi, për neve”.

Islami thotë se Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) si dhe gjitha institucionet e sigurisë duhet të jenë në alarm 24 orë.
“Kjo që ka ndodhur në qendrën e numërimit të votave tregon se institucionet përgjegjëse nuk e kanë parandaluar një ‘sulm kimik-biologjik’ me anë të zarfeve”, tha Islami.

Eksperti i sigurisë thotë se ky rast ia kujton luftën e terroristëve me ‘zarfet e antraksit’ drejtuar edhe shefave të shteteve për helmim ose edhe shpërthim të këtyre letrave.
“Nëse vërtetohet se këto zarfe përmbanin substanca helmuese kimike, çka do të thoshte nëse një zarf i këtij lloji do të shkonte në kryeministri, presidencë, apo institucion tjetër. Pra, askush nuk do të ishte i sigurt”, ka thënë Islami.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas rastit të helmimit të punonjësve të operacionit të votimit përmes postës duke thënë se ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik.
Vetëvendosje kërkon nga autoritetet shtetërore që të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.

Nëntë persona janë hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi nga kontakti me zarfet me vota të ardhura nga Serbia, atyre u është shkaktuar alergji në duar.
Gjatë procesit të verifikimit, në punë kanë qenë në ndërrimin e parë rreth 25 punëtorë, ku te disa prej tyre është shfaqur një lloj alergjie. Megjithatë zyrtarët shëndetësorë, ende nuk kanë bërë të ditur se për çfarë reaksioni alergjik bëhet fjalë.

Pas numërimit të votave të rregullta, tani kanë nisur të verifikohen votat e ardhura me postë nga vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe qytetarët nga Serbia që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, të mbajtura më 6 tetor.

Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb