Në një lidhje Skype për emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Prof.Dr. Abdyl Sinani, ekspert i ushqimit ka folur për rëndësinë e kartes teknologjike dhe të aditivëve ushqimore, për këta të fundit, ka patur raste tha ai që kanë qenë edhe kancerogjenë.
“Drithërat përmbajnë 60% të energjisë që ushqehemi. Kemi grup specialistësh shumë të mirë në prodhimin e miellit dhe bukës. Karta teknologjike është kryesore për t’u ndjekur nga AKU inxhinieri, një pjesë nuk e zbaton kartën teknologjike ndaj buka del e thatë. Përsa i përket heqjes së sharrave, buka kur pritet bëhet që të thahet më shpejt, por nuk është e faktuar që ka lidhje me koronavirusin. Disa lloje bukësh e pranojnë prerjen, ndërsa disa jo. Nëse do të kenë teknologë fabrikat e bukës, që të ndjekin të gjitha hallkat do rritet siguria ushqimore. Sot luftohet kostoja dhe cilësia”-tha Sinani.
Përsa i përket aditivëve, Sinani tha që janë të domosdoshëm, por ka patur edhe raste abuzimesh, me aditivë kancerogjenë.
“Buka është integrale, e gjithë kokrra e grurit, në fabrikë 2-3% i largohet. Teknologu e shikon me një analizë që bëhet në të gjitha fabrikat e miellit. Nëse përmbajtja e hirit është 1.3 ose 1.4 themi që është integrale. Nëse është 0.6 ose 0.65 është miell i bardhë, por i ngjyrosur. Aditivët që shtohen, para 3 vjetësh hidheshin ca lloje aditivësh që ishin kancerozë, të dëmshmet, e bënin bukën shumë të bukur dhe të mirë dhe nuk kuptohej. Problemi ishte që nuk kishte kontroll. Mielli nga Serbia ka patur proteina më pak dhe zëvendësohej me aditivë. Duke u studiuar dhe në bazë të kontrollit u zbulua dhe u zëvendësua me të mira që ishin të domosdoshëm për organizmin. Me një lloj gruri nuk bën bukë tamam, aditivët nuk janë të këqij, por të domosdoshëm për t’u përdorur në industri, por kërkon zbatimin e kartës tekonologjike”-deklaroi Abdyl Sinani.