Eksperti i Evropës Juglindore dhe profesor në University College London, Eric Gordy, duke komentuar deklaratën e vendeve të Kuint-it drejtuar Kosovës dhe Serbisë, nuk mendon se Kosova do të ndërmarrë ndonjë hap domethënës derisa të zgjidhet një qeveri e re.


Ai thotë se aktualisht nuk ekziston besimi i mjaftueshëm midis dy palëve (Beogradit dhe Prishtinës) për të punuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, profesori Gordy thotë se deklarata e vendeve të Kuint-it nuk ofroi asgjë në këmbim për palët.


Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni deklaratën e vendeve të Kuntit-it?
Eric Gordy: Unë nuk mendoj se ndihmon shumë, në kuptimin që nuk është e qartë se për cilën marrëveshje bëhet fjalë. Ka kohë që flitet për shkëmbim territoresh, që mesa duket, nuk është një propozim i zbatueshëm, pavarësisht nga fakti që Vuçiq (Aleksandar Vuçiqi, president i Serbisë) dhe Thaçi (Hashim Thaçi, president i Kosovës) kanë bërë fushatë për këtë ide. Kjo nuk pati një ndikim të madh në opinionin publik as në Serbi, as në Kosovë.Së dyti, unë mendoj se nuk ka ndonjë arsye të veçantë që Serbia dhe as Kosova të ndërmarrin ndonjë hap të madh, pasi asgjë nuk ofrohet në këmbim. Përmendet anëtarësimi eventual në Bashkimin Evropian (BE), por dihet mirë se kjo nuk është realiste në një afat të shkurtër.Një problem tjetër është taksa për importin e mallrave nga Serbia që e ka vendosur Qeveria e Kosovës. Edhe në këtë çështje nuk ka një strategji dhe as politikanët në Kosovë nuk kanë ndonjë arsye të veçantë për të hequr dorë nga masa, e cila është e popullarizuar në Kosovë.


Atëherë si të ringjallet dialogu?
Unë nuk mendoj se Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë ndonjë hap domethënës përpara zgjedhjeve në Kosovë.

Së dyti, nuk mendoj se aktualisht ka besim të mjaftueshëm midis dy palëve për të punuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Mund të punohet në gjëra më të vogla që do të rrisin besimin. Unë po flas për gjëra të vogla që do të ndikonin në jetën e qytetarëve, të tilla si sigurimi shëndetësor, pensionet ose lehtësimi i udhëtimit midis të gjitha vendeve. Mund të punohet për zgjidhjen e problemeve konkrete si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët në Kosovë, siç janë uji dhe cilësia e ajrit.Për sa i përket taksës ndaj mallrave serbe, nuk mendoj se Kosova do ta tërheqë këtë vendim nëse nuk merr diçka në këmbim.

A shihni ju gatishmëri nga të dyja palët për të punuar në këtë drejtim?
Tash për tash nuk janë gati. Unë mendoj se Vuçiqi është i vetëdijshëm se ai nuk ka mbështetje për këtë. Nga ana e Kosovës, ne kemi një qeveri të paqëndrueshme. Mendoj se asgjë nuk mund të bëhet atje derisa të zgjidhet një qeveri e re.

Në këtë kuptim, a është befasi për ju që iniciativa e vendeve të Kuint-it erdhi në një kohë kur Serbia dhe Kosova janë në periudhën parazgjedhore?
Nuk e di pse e zgjodhën bash këtë kohë, dhe madje duke mos ofruar asgjë konkrete. Unë mendoj se do të ishte më e mençur të gjallëroheshin bisedat në një nivel më të ulët dhe të ngadalësohesh drejt një marrëveshje më të madhe.Jo vetëm që nuk është momenti tani, por BE-ja dhe SHBA-ja nuk kanë qëndrim të përbashkët për një zgjidhje. Edhe vendet e BE-së nuk kanë një pozicion të përbashkët, që do të thotë se ata nuk kanë ofruar asnjë temë të marrëveshjes dhe nuk kanë thënë se cili do të ishte qëllimi.Vendet e Kuint-it shprehen se janë të gatshme të marrin pjesë më shumë në vazhdimin e dialogut.

A do të ishte shumë e guximshme të thuhet se roli i BE-së në këtë proces deri më tani ka qenë i pasuksesshëm?
Mendoj se po, në kuptimin që edhe në Bashkimin Evropian nuk ka pajtueshmëri sa i përket pozicionit të tij për marrëveshjen, dhe para së gjithash Amerika po shkakton probleme. Amerikanët dolën me idenë e shkëmbimit të territorit, por për të qenë të saktë, propozimi vjen nga John Bolton (Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së), por nuk është e sigurt që ai po flet në emër të presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Çfarë mund të presim nga udhëheqja e re e BE-së kur bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut?
Është vështirë të vlerësohet. Duhet të presim për të parë se çfarë do të bëjnë ata sepse nuk kanë dalë me ndonjë ide apo qëndrim për atë se çfarëdo të bëjnë ndryshe. Ne do të dimë më shumë në gjashtë muajt e ardhshëm ose për një vit.

Për fund, si e komentoni deklaratën e bërë nga ambasadori rus në Serbi, Alexander Bocan Harchenko, i cili komentoi deklaratën e vendeve të Kuint-it, duke thënë se ajo synon të fajësojë edhe njëherë Serbinë për dështimin e dialogut?
Kjo është një përpjekje për të marrë pikë politike në qeverinë serbe, e cila ndoshta edhe është detyra e ambasadorit