Studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin Luarasi patën mundësi të ndjekin leksionin e një eksperti të shquar amerikan. Gjatë kësaj ore, Scott Sorrell, profesor në California State University iu shpjegoi studentëve si të ndërthurrin praktikën me teorinë për të qënë konsulentë të suksesshëm biznesi në të ardhmen. Studentët e Ekonomikut në “Kolegjin Universitar Luarasi” kanë mësuar gjithashtu sesi të bëjnë një punë sa më të vlefshme, të arrijnë t’i japin klientit çmimin më të lartë dhe në fund ai të ngelet sërish klienti i tyre besnik.

Scott Sorrell është një nga konsulentët më të mirë në shumë kompani biznesi, me përvoja dhe praktika akademike të shkëlqyera. Ai shprehet tejet i kënaqur që ishte pjesë e leksionit të hapur në Universitetin ‘Luarasi’, të cilin e vlerëson si një institucion madhështor.

 “Unë jam Scott Sorrell dhe në botën e biznesit më quajnë “Zotëria që ngarkon çmimet më të larta” sepse unë iu bëj konsulencë kompanive sesi të vendosin çmime të larta dhe në fund klientët të ngelen të kënaqur dhe të thonë faleminderit. Gjithashtu unë jam profesor në Californian State University në të cilin ka 40 mijë studentë dhe unë jap mësim në Marketing. Jam në universitetin Luarasi pasi dëshiroj të ndaj dijet e mia, njohuritë e mia dhe dashurinë time me studentët. Unë i dua studentët dhe dëshiroj të kem impakt në jetët e tyre për të bërë ndryshime të mëdha, dhe jo vetëm në fushën e biznesit por edhe në zemrat e tyre. Kur dëgjova që këtu ka shumë studentë që kanë nevojë të dëgjojnë një mesazh të mirë rreth marketingut, biznesit dhe jetës, isha i emocionuar dhe i gatshëm për ta bërë këtë. Dua të theksoj se u impresionova nga ky universitet, nga godina, nga pastërtia, dhe më bëri përshtypje pasi është i ndritshëm dhe i mbajtur në kushte shumë të mira. Është një universitet madhështor me studentë të mrekullueshëm që na pritën me buzëqeshje. Edhe stafi pedagogjik më mirëpriti, dhe nuk kisha ndjesinë sikur isha në një shkollë, por u ndjeva më shumë pjesë e një familjeje”

Shefja e Departamentit të Administrim -Biznesit në “Luarasi”, Dr.shk. Aelita Mani tregon se leksionet e hapura me ekspertë të huaj janë praktikë e eksperimentuar edhe më parë në këtë universitet elitar. Kombinimi i teorisë me praktikën është mënyra më e mirë për të përgatitur konsulentë ekspertë në fushën e biznesit

“Këtë praktikë e kemi eksperimentuar edhe më parë duke sjellë biznesin pranë studentëve tanë dhe madje edhe studentët i kemi çuar te biznesi për të bërë detyra dhe projekte konkrete, për të mësuar që në fillim, për të përputhur njohuritë me praktikën, por kjo është një formë e mësimdhënies ku studentët përgatiten për të qënë konsulentë biznesi. Është fat i madh për studentët e Luarasit, që profesorë të tillë na nderojnë dhe pranojnë të japin gjithë përvojën e tyre akademike dhe praktike nga biznesi dhe akademia. Është praktikë e universitetit Luarasi që profesorë të tillë ti kemi gjatë gjithë vitit për të organizuar leksione të hapura. Siç e shikoni vetëm në javën e parë i mundësojmë studentëve tanë praktika të tilla” 

Nëpërmjet praktikave të tilla, Luarasi vazhdon të mbetet një ndër liderët e arsimit të lartë në vend duke sjellë përvojën  më të mirë ndërkombëtare pranë studentëve e duke prezantuar modele suksesi që i japin më shumë guxim e orientim për të ardhmen.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb