Ekspertët mjekoligjorë në Tiranë konfirmojnë dyshimet e familjes së Pëllumb Marnikollajt, se ndaj tij Policia greke ka ushtruar dhunë makabre. Fillimisht, ata këqyrën me sy të lirë trupin e viktimës 28­
vjeçar, i mbërritur në Shqipëri mbrëmjen e së shtunës.

Gazeta “Panorama” shkruan sot se shenjat ishin të dukshme, por pas disa orësh nga verifikimi i imtësishëm, mësohet se mjekët shqiptarë pranojnë se mbi të riun shqiptar është ushtruar torturë.
Burime nga grupi hetimor, i cili është ngritur për këtë ngjarje të rëndë, të ndodhur më 3 gusht brenda rajonit të Policisë, në lagjen “Ano Patisia” në Athinë, bëjnë të ditur për gazetën se dhuna është e
qartë.

“Mbi trupin e 28-­vjeçarit Marnikollaj ka shenja të dukshme të dhunës. Janë konstatuar djegie nga shuarja në trup e cigareve. Të tilla shenja ka në gjoks dhe në shpinë. Ka nxirje në pjesë të ndryshme të trupit, hematoma të krijuara nga përdorimi i dhunës”, është bërë e njohur paraprakisht nga ekspertët mjekoligjorë të Tiranës.

Me gjithë këto të dhëna, pritet ende të përgatitet raporti përfundimtar mbi shkaqet e vdekjes së të riut nga fshati Rrilë i Lezhës. Nuk konfirmohet nëse vdekja Marnikollajt i është shkaktuar nga torturat
fizike të ushtruara ndaj tij apo nga arsye të tjera. Nga ana e ekspertëve po punohet për të nxjerrë konkluzionin, i cili do t’i kalojë Prokurorisë së Lezhës, ku është regjistruar çështja penale për këtë
ngjarje të rëndë.

Vështirësi ekspertët kanë hasur për shkak se i riu kishte mbi 10 ditë që kishte ndërruar jetë në momentin kur trupi i tij u transportua nga Athina për në morgun e Tiranës, kur iu nënshtrua ekspertizës.

Pëllumb Marnikollaj ka ndërruar jetë në rrethana ende të pasqaruara zyrtarisht më 3 gusht të këtij viti, pak kohë pasi ishte kërkuar të shkonte në rajonin e policisë për disa sqarime.

Prej andej, trupi u mbajt në frigorifer në një spital të Athinës e më tej në një varrezë publike, aty ku u gjet nga familja dhe miqtë e viktimës. Sipas ekspertëve, shumë shpejt do të përfundojë raporti
përfundimtar, për t’ia dërguar Prokurorisë së Lezhës. Në fakt, ky është i vetmi ekspertim mjekoligjor që u krye mbi viktimën, pasi siç dëshmojnë të njohurit e tij, policia greke jo vetëm që nuk ka bërë
autopsinë, por ka tentuar ta zhdukë kufomën.

Familja e gjeti trupin e Pëllumb Marnikollajt vetëm pas 10 ditë kërkimesh. Nisur nga pamja makabre mbi trup, ku ata dalluan shenja dhune, familjarët iu drejtuan Policisë së Lezhës, duke bërë aty kallëzim penal për vrasjen e njeriut të tyre, në ambientet e Policisë greke.

Mbi bazën e raportit të mjekëve ligjorë do të vendoset mbi hetimin e kësaj çështjeje. Nëse do të konfirmojnë se vdekja e 28­ vjeçarit erdhi nga dhuna fizike e punonjësve të Policisë, atëherë do të kërkohet hetim dhe vënia para përgjegjësisë e autorëve.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb