Autokracitë në mbarë botën gjithnjë e më shumë po bashkëpunojnë kundër shoqërive demokratike, tha fituesja e Çmimit Pulitzer, gazetarja dhe historiania amerikane, Anne Applebaum, në një intervistë për Current Time.

“Rusia, Kina, Irani, Koreja e Veriut, Venezuela, Zimbabveja, Azerbajxhani dhe Angola nuk kanë ideologji të përbashkët”, tha Applebaum. “Por, ata gjejnë çështje për të cilat mund të bashkëpunojnë dhe kanë interesa të përbashkëta. Disa prej interesave të tyre janë financiare”.

“Kina investon në regjimet autokratike në mbarë botën dhe i ndihmon që të përgatiten”, shtoi ajo. “Rusët e bëjnë të njëjtën gjë… – ata u ofrojnë mercenarë diktatorëve në Afrikë të cilët kanë telashe. Ata kërkojnë zona ku mund të kenë diçka të përbashkët dhe ku mund të ndihmojnë njëri-tjetrin”. “Por, për të bërë këtë atyre nuk u nevojitet që të kenë ideologji të njëjtë”, tha Applebaum.

Në librin e saj të ri, “Autocracy, Inc.: The Dictators Who Want To Rule The World”, Applebaum ka shkruar se qeveri të tilla forcohen përmes “rrjeteve të sofistikuara që përbëhen nga struktura financiare kleptokratike, teknologji të mbikëqyrjes dhe propagandistë profesionalë, të cilët bashkëpunojnë nëpër regjime të shumta”, thuhet në libër, sipas ueb-faqes së autores.

Applebaum i tha Current Time se ky është dallim thelbësor nga situata gjeopolitike në shekullin e 20-të, “kur atëherë ekzistonte një gjë që quhej blloku komunist dhe që të gjithë përdornin një gjuhë…dhe që të gjithë madje kishin sisteme shumë të ngjashme politike dhe shoqërore”.

Pavarësisht se nuk kanë një ideologji të përbashkët, autokracitë në botë kanë një “armik të përbashkët”, theksoi ajo.

“Armiku i përbashkët është… kushdo që jeton në botën demokratike dhe kushdo që përdorë gjuhën e demokracisë… të të drejtave të njeriut, transparencës, llogaridhënies, sundimit të ligjit, drejtësisë”, tha Applebaum. “Ajo gjuhë paraqet kërcënim për ta dhe, sigurisht, është kërcënim në i madh për ta kur vjen nga lëvizjet opozitare brenda shteteve të tyre apo nga kritikët e brendshëm dhe… disidentët”.

Për më tepër, të çliruar nga ideologjia, regjimet moderne autokratike kanë hapësirë më të madhe për të ndikuar në zhvillimet politike dhe shoqërore në shoqëritë e hapura.

“Propaganda autoritare tani mund të depërtojë te njerëzit në Shtetet e Bashkuara në një mënyrë që propaganda komuniste nuk mund ta bënte”, tha Applebaum. “Po ashtu, siç thash, paratë që shtetet autoritare kanë u japin atyre një lloj fuqie që, sërish, Bashkimi Sovjetik nuk e kishte, qoftë për të investuar si investitorë, qoftë për të blerë ndikimin e politikanëve apo të komunitetit të biznesit, qoftë edhe në formën e parave për të financuar fushatat politike”.

“Të gjitha këto gjëra u japin atyre më shumë mjete ndikimi në debatet e brendshme dhe në bisedat politike të demokracive, por edhe të ekonomive të tyre”, shtoi ajo.

Organizatat mediale sikurse rrjeti i Kremlinit, Russia Today, shtoi Applebaum, “janë të mira për të krijuar narrativin autoritar që i përshkruan autokracitë si të sigurta dhe të qëndrueshme dhe demokracitë si të përçara, kaotike dhe të degjeneruara”.

“Dhe disa versione të kësaj, në milionë forma, janë të qasshme në internet”, tha ajo. “Dhe kjo…. e shoqëruar me një pjesë të spektrit politik amerikan që ndihet i pakënaqur, të cilit si pëlqejnë ndryshimet shoqërore, demografike, ekonomike dhe politike në dekadat e fundit dhe po synojnë t’i zhbëjnë këto ndryshime”.

Regjimet autoritare nuk e shkaktuan “kundërshtimin kundër demokracisë” në SHBA dhe shtete të tjera demokratike, “por ato ndihmuan që të formësohej gjuha”, tha ajo. “Ato i thellojnë përçarjet ekzistuese”.

Megjithatë, këto regjime e kuptojnë se vlerat demokratike dhe gjuha demokratike janë të lakmueshme. Në Venezuelë, për shembull, njerëzit kanë protestuar duke kërkuar transparencë, drejtësi dhe sundim të ligjit, pavarësisht “diktaturës vërtetë të shëmtuar” të vendit.

“Njerëzit duan të jetojnë në një shtet ku ka sundim të ligjit, ku gjykatësit janë gjykatës të vërtetë”, tha Applebaum për Current Time, rrjetit në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë. “Mendoj se këtë mund ta shihni në shumë vende. Ka të bëjë me dëshirën e lindur për të jetuar në një shoqëri më të drejtë, ku qytetarët kanë një lloj ndikimi”.

“Prandaj, mendoj se kjo është një nga arsyet pse bota autokratike është riarmatosur ose e ka përgatitur veten kundër botës demokratike në një mënyrë më dramatike sesa e bëri dy dekada më parë”, tha Aplebaum./Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: