“Shqipëria është në krizë politike. Por kursi konfrontues nuk është i ri”, thotë ekspertja për Ballkanin, Johanna Deimel. Edhe akuzat për blerjen e votës u ngritën që pas zgjedhjeve 2017, por asgjë nuk u bë, vëren ajo në një intervistë për Deutsche Welle.


Deutsche Welle: Shqipëria është përfshirë sërish nga protestat, opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama, të cilin e akuzon për lidhje me krimin, dhe qeveri tranzitore. Si e vlerësoni ju gjendjen aktuale në Shqipëri?
Johanna Deimel: Sigurisht demonstratat paqësore janë një e drejtë bazë demokratike. Për fat të keq në të kaluarën e afërt në Shqipëri demonstratat janë organizuar gjithmonë nga opozita e radhës, herë pas here ka pasur dhunë, ato janë keqpërdorur e kanë çuar në kriza të rënda politike. Akuzat përsëriten: Kur ishin socialistët në opozitë, akuzohej Partia Demokratike për korrupsion e lidhje me struktura kriminale. Tani është PD që akuzon Edi Ramën për lidhje të tilla. Për fat të keq kursi konfrontues e karakterizon për një kohë të gjatë Shqipërinë. E nuk mund të jetë mjet i përballjes politike bllokimi i parlamentit dhe minimi i punës së ij.


Por pikërisht kjo ka ndodhur, deputetët e opozitës së bashkuar dogjën mandatet si akt të fundit ekstrem, ndoshta për të zgjuar më shumë vëmendje për kauzën e tyre, por ndërkohë po betohen deputetë të rinj nga opozita. Si e shikoni këtë hap, krijimin e një opozite të re, le të themi, brenda opozitës?
Dorëzimi i mandateve të 57 politikanëve të opozitës ka qenë i papërgjegjshëm për mendimin tim, jo vetëm kaq ai hedh dritë edhe për gjendjen e brendshme në parti, ku me porosi nga lart të liderëve të partisë u kërkohet deputetëve të lenë mandatin. Këta deputetë janë përfaqësues të zgjedhur nga populli e në një demokraci parlamentare i detyrohen zgjedhësve të tyre. Nga ana tjetër duket, se nuk doli llogaria e PD së Bashës dhe e LSI për të çuar në paralizim të plotë të jetës parlamentare. Disa deputetë e kanë refuzuar këtë porosi nga lart. Fakti që pasuesit nga LSI apo nga PD apo ata që duan të marrin mandatin tani do të përjashtohen nga partia, tregon edhe nevojën urgjente për reformën zgjedhore.


Kandidatët e partive duhen të zgjidhen në një proces të hapur demokratik, e jo të jenë thjesht formalisht mbushës të listave. Tani po tregohet, se sa e gabuar ishte ujdia për listat e mbyllura, për të cilat ranë dakord Rama dhe Berisha në vitin 2008. Me të drejtë KQZ tani ka marrë në dorë listën e partive përkatëse të vitit 2017 e po plotëson vendet vakante me kandidatë pasues, për sa kohë këta e duan mandatin. Kjo është rruga e duhur dhe nuk ka të bëjë me atë, që KQZ po krijon një opozitë brenda opozitës.

A do të jenë këta deputetë të rinj zgjidhja apo kjo do të çojë kjo në një ashpërsim të situatës?
Do të shohim se çdo të ndodhë me “opozitën e re” që është krijuar me rreth 7 deputetë të PD. Ndoshta është aty edhe bërthama e një force të re politike që mund të sjellë një frymë të re e do të thyejë sistemin bipolar konfrontues e paralizues. Ndoshta ajo mund të jetë edhe fillimi i fundit të Bashës. Nëse ia dilet me këtë opozitë të re të rifillojë puna parlamentare mes qeverisë e opozitës, kjo vetëm mirë do të thotë për vendin.

Mosbesimi është i thellë mes palëve. Si PD edhe LSI ngrenë akuza të forta, duke u bazuar në disa audiopërgjime të publikuara që tregojnë lidhje të politikës me struktura kriminale për blerjen e votës. BE thotë që akuzat e opozitës duhet t’i trajtojë drejtësia, opozita, thotë se prokuroria është nën ndikimin e Ramës e disa dosje të caktuara nuk ndiqen, gjë që çoi edhe tek hapi ekstrem i djegies së mandateve. A nuk është kjo një pikë e vdekur?
Audiopërgjimet që u publikuan në fillim të shkurtit nga Voice of America donin të provonin blerjen e votave nga PS. Për fat të keq blerja e votës është një fenomen i njohur i zgjedhjeve të fundit parlamentare, edhe vëzhguesit e OSBE kanë raportuar për parregullsi përkatëse. Problemi është, se pas kësaj asgjë nuk ndodhi.

Rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017 e njohën të gjitha partitë politike, edhe ne ndërkombëtarët, e para së gjithash edhe BE. Pra, parimisht është e drejtë që nga ana e BE thuhet që çështja t’i jepet drejtësisë që të ndërmarrë hapat e duhur. Edhe nëse sistemi i drejtësisë ende nuk i përgjigjet kritereve europiane të ligjshmërisë dhe ndodhet nën ndikimin e politikës. Por po ashtu ne të gjithë e dimë, se për këtë duhet të ketë qëndrime të qarta dhe në raste shkeljesh Brukseli dhe Uashingtoni duhet të tregojnë vijat e kuqe.

Jo vetëm problemet në sistemin e drejtësisë, blerjen e votës, por edhe korrupsioni janë arsyet që e kanë nxjerrë opozitën në rrugë e duket se kjo do të vazhdojë. BE ka kritika për djegien e mandateve e kërkon që përballja të bëhet në parlament. Si i shikoni këto kritika?
Nëse opozita nuk ka mjet tjetër veç rrugës, kjo është provë varfërie e botëkuptimit politik. E nëse kësaj i shtohet edhe bojkotimi i zgjedhjeve lolake në qershor, atëherë unë e shoh Shqipërinë në regresion politik. Nocionin “stabilokraci” unë e kam përdorur për herë të parë në një analizë për Shqipërinë në tetor 2012. Ai përdoret sot gjerësisht mes ekspertëve, por unë kam dashur të përshkruaj një sistem gjithnjë e më autokratik, që tolerohet nga ana e ndërkombëtarëve, si dhe BE gabimisht në emër të një stabiliteti. Besoj, se zhvillimet e sotme në Shqipëri janë shkas për shqetësim të madh, sepse ky stabilitet nuk është i garantuar më. Duhet të ndryshojë diçka në mënyrë thelbësore. “Stabilokraci” Shqipëria nuk është më, më shumë “një destabilokraci”, për ta variuar termin tim.

Por BE kësaj here nuk duket shumë e interesuar për ndërmjetësim, mendoni se mund ta tejkalojë vetë Shqipëria këtë krizë?
Po, e vërtetë, se një ndërmjetësim nga ana e BE nuk është parashikuar këtë herë. Megjithatë vizitat e rëndësishme politike nga Brukseli, nga SHBA, nga Berlini, tregojnë se gjendja merret seriozisht. Ne nuk duhet të harrojmë, se BE vetë për shkak të Brexit, zgjedhjeve të pritshme europiane e Komisionit të ri pasues nuk i ka vërtet kapacitetet e nevojshme, të paktën deri në qershor 2019 edhe kur të bëhet fjalë për vendimin pro ose kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me BE.

Domethënë ta harrojë Shqipëria edhe këtë qershor hapjen e negociatave…
Me gjendjen e tanishme nuk ka për të pasur negociata anëtarësimi. Nëse do të kishte një gjuhë të përbashkët, do të kishim pasur prej kohësh reformën zgjedhore, edhe reforma në drejtësi do të kishte ecur më përpara. Do të kishte pasur procese gjyqësore të mbyllura edhe në nivele të larta që dyshohen për korrupsion apo lidhje me kriminalitetin, e jo vetëm kundër peshqve të vegjël. Do të kishim pasur edhe një Gjykatë Kushtetuese funksionuese, për shembull.

Dr. Johanna Deimel, eksperte për Ballkanin, për vite me radhë ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Europës Juglindore në Gjermani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb