TIRANË- Në orët e para të mëngjesit të sotëm janë rikthyer hijet e shpërthimeve me tritol që tronditën vendin dy ditë më parë. Një biçikletë me eksploziv është zbuluar sot në kryeqytet rreth orës 05:00 të mëngjesit në afërsi të shkollës “Petro Nini Luarasi”.

Mësohet se një minë e lidhur me celular ishte montuar në biçikletë, ndërkohë që në vendngjarje ka shkuar Njësia antieksploziv për çaktivizimin e lëndës plasëse.Eksplozivi i llojit C4, sipas policisë 1 kg është gjetur në një qese të mbështjellë me natriban dhe jashtë pakos me një fije teli. Ndërkohë që për t’i rritur fuqinë minës ishin vendosur dhe 2 kg sfera metalike gozhdë e vida.

Mekanizmi përbëhej nga një celular i aktivizuar dhe 2 kapsolla. Celulari ishte gati për shpërthim, ndërsa ekspertët kanë gjetur në të 1 thirrje të bërë më 10 shkurt, ditën kur janë vendosur 3 minat e tjera në kryeqytet. Po kështu me lëndën eksplozive ishte vendosur dhe 1 shishe 1.5 litra me benzinë që shërben për të rritur me 3 herë fuqinë e minës.

Sipas njoftimit të Policisë së Kryeqytetit, rreth orës 04.51, në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë Pall Nr. 27, në një biçikletë të parkuar është parandaluar një akt terrorist.

Ndërkohë që grupi hetimor nga ekspertë të Akteve Terroriste dhe Krimet e Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda po punojnë intensivisht për të zbardhur, dokumentuar dhe identifikuar autorët. Njëherazi materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Vepra për qëllime terroriste”, parashikuar nga neni 230 i Kodit Penal.

SHPERTHIMET ME TRITOL
Edhe pse nuk dihet kush ishte shënjestra kësaj radhe, kujtojmë se dy ditët e fundit kanë qenë të mbushura me shpërthime tritoli. Dy ditë më parë dy shpërthime me eksploziv dhe një në tentativë u regjistruan në tri zona të ndryshme të kryeqytetit, brenda një harku kohor prej 4 orësh, duke përhapur panik dhe terror në masë. Në shënjestrën e njërit prej akteve terroriste ishte familja e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në biznesin privat, farmaci të Bashkim Tahirit, babai i ministrit që ndodhet në rrugën “Kongresi i Manastirit”, shumë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shpërtheu një sasi e madhe lëndë plasëse.

Nga hetimet rezultoi se atentatori kishte përdorur një biçikletë për të kryer aktin e vendosjes së eksplozivit në faramacinë e babait të Ministrit të Brendshëm. Një orë më vonë, një minë e telekomanduar shpërtheu në derën e apartamentit të Alfred Nomanit, ish-shefi i Komisariatit nr.3 në Tiranë, vartës i Saimir Tahirit. Banesa e zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit ndodhet vetëm një rrugicë larg nga farmacia e Bashkim Tahirit, konkretisht përballë Pediatrisë në QSUT. Shpërthimi në banesën e Nomanit ndodhi në 3:50 minuta dhe ekspertët thanë se eksplozivi ishte vendosur në sheshpushimin e pallatit. Na banesën e Nomanit nuk ndodhej asnjë prej pjesëtarëve të familjes. Akti i tretë, mbeti në tentativë.

Policia u njoftua se në rrugën “Muhamed Gjollesha” në stacionin e autobusit ku kalon linja e Unazës së Tiranës, ishte lënë një pako e dyshimtë. Ekspertët xhenierë bënë shpërthim të telekomanduar, duke shmangur pasojat e rënda në njerëz, nëse mina do të kishte shpërthyer. Në fakt, pikërisht shumë pranë stacionit ku do të kryhej akti i tretë, ndodhet banesa e prindërve të Saimir Tahirit, Bashkim e Luiza Tahiri. Ekspertët thanë se në të tria rastet, sasia e eksplozivit është afërsisht nga 400 gramë dhe dyshohet të jetë e njëjta dorë.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: