TIRANË- Forcat e policisë në kryeqytet kanë ndërmarrë një aksion blic në orët e vona në lokalin ‘Vila Gjuta’ që ndodhet tek Rruga e Elbasanit, në pronësi të Vladimir Gjutës.

Operacioni është ndërmarrë për kapjen e personit në kërkim Vladimir Gjuta, i dyshuar si organizator për vendosjen e eksplozivit në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, ngjarje e ndodhur më 10 shkurt në Tiranë.

Nga informacionet paraprake rezulton se Gjuta nuk ka qenë në objektin e kontrolluar nga policia me imtësi.

NGJARJA
Burime nga Policia e Tiranës, thanë se grupi prej më shumë se 7 personash, drejtohej nga 35¬vjeçari i shpallur në kërkim, Vladimir Gjuta. Ndërsa, nipi i tij, Baftjar Bruka, 24 vjeç, që po ashtu është shpallur në kërkim, ishte krahu i djathtë i Gjutës. Nga veprimet hetimore, analiza e provave të siguruara nga oficerët e Antiterrorit dhe informacioneve të siguruara në rrugë operativo¬gjurmuese, janë zbuluar edhe “rolet” e 5 personave të tjerë të arrestuar tashmë në Polici, në lidhje me aktet terroriste.

Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka u kishin ndarë detyra për sulmin e datës 10 shkurt të afërmve të tyre, Lumjan Matmuja, Erjon Dule, Kamber Bruka, Ernest dhe Emirjon Gjuta. Të pesë këta persona rezultojnë të përfshirë në dy ngjarjet me eksploziv të ndodhura në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe në vendosjen e tritolit që nuk shpërtheu te stacioni i autobusit, në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Me ndihmën e kamerave të sigurisë së bizneseve apo edhe Bashkisë së kryeqytetit, prokuroria ka arritur të zbardhë të gjithë intinerarin e ndjekur nga personi që ka vendosur sasite e tritolit.

Hetuesit thonë se personi me biçikletë ka zbritur nga Linza në ora 02:23 minuta dhe është afruar pranë farmacisë. Kamerat e biznesit ngjitur kanë filmuar lëvizjet, nga te cilat duket se ai fillimisht parkon biçikletën, nxjerr nga poshtë xhupi lëndën plasëse, aktivizon telefonin dhe më pas e vendos atë sipër kondicionerit të farmacisë. Pas këtij veprimi, ai merr biçikletën dhe zbret për në drejtim të Unazës, duke përfunduar brenda pak minutave i pa shqetësuar në stacionin e autobusit në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Aty parkon biçikletën, vendos lëndën plasëse dhe largohet për t’u kthyer përsëri në zonën e Linzës. Në orës 02:50 minuta ai ka bërë thirrjen në telefonin e lidhur me tritolin e vendosur në farmacinë e Bashkim Tahirit duke aktivizuar shpërthimin. Pak sekonda më pas, rezulton se ka bërë thirrjen edhe në numrin e vendosur në sasinë e tritolit në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Ekspertët thonë se nga nxitimi ka lëvizur kapsolla me qarkun elektrik të lidhur me baterinë e telefonit, duke dështuar shpërthimin.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: