TIRANË– Rritja e eksporteve bujqësore ka angazhuar ministrinë e Bujqësisë të shtojë investimet në ngritjen e tregjeve dhe qendrave të reja të grumbullimit për produktet bujqësore, duke mundësuar kështu shitjen e garantuar të tyre. Sipas të dhënave nga ministria e Bujqësisë, në vendin tonë numërohen rreth 170 pika të grumbullimit të prodhimit bujqësor, kundrejt 117 të tilla që ishin një vit më parë.

Ndërsa 52 prej këtyre qendrave janë pika ku kryhet eksporti i prodhimeve bujqësore me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë, Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Bosnjë, Kroacinë, por edhe në Suedi, Itali, Francë, Gjermani, Zvicër, Austri dhe SHBA.

Drejtoria e Prodhimit Bujqësor dhe Politikave Tregtare në Ministrinë e Bujqësisë bën të ditur se numri më i lartë i qendrave të grumbullimit është i përqendruar në qarkun Lushnjë-Fier, i cilësuar ndryshe dhe si hambari bujqësor. Këtu janë ngritur 23 pika grumbullimi dhe eksporti të perimeve e frutave, me 5100 m² kapacitete grumbulluese (magazina) dhe kapacitet 7500 ton dhoma frigoriferike, që mundësojnë grumbullimin e mbi 56 mijë ton prodhime nga fushat e fermave. Sipas ekspertëve të bujqësisë, skemat e mbështetjes përmes subvencioneve nga viti në vit po rrisin fondet adresuar sektorit të marketingut dhe ngritjes së qendrave të grumbullimit, gjithnjë e më shumë në përmirësim të vazhdueshëm të standardeve dhe kushteve bashkëkohore që plotësojnë.

Sipas tyre, sot qendrat frigoriferike bujqësore dhe tregjet e grumbullimit të prodhimeve bujqësore, po i përgjigjen më së miri kërkesave për cilësi dhe siguri që kërkojnë tregjet e huaja, ndaj dhe shtimi i tyre është derivat i rritjes progresive të prodhimit bujqësor vendas gjithëvjetor dhe eksporteve.

Sipas ministrisë së Bujqësisë, pikat e grumbullimit bashkëkohor janë ngritur në të gjithë vendin, Kukës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Gjirokastër, Korçë etj., me kushte për të ruajtur prodhimet tipike të zonës.

Ndërsa për bimët mjekësore, organizimi i grumbullimit është në Malësinë e Madhe, Kukës e Gjirokastër. Specialistët janë të mendimit se krahas rritjes së prodhimit bujqësor, ndërtimi i rrugëve të reja rurale do të nxisë marketingun bujqësor vendas drejt standardeve të reja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: