A do të heqin dorë në të ardhmen prodhuesit e armatimeve franceze nga pjesët gjermane të këmbimit? Për qeverinë e Parisit është i përfytyrueshëm një prodhim “German-free”.

Ajo përcjell vetëm mendimin e saj, shkruan Anne-Marie Descôtes, ambasadore franceze në Berlin. Por teksti, të cilin ajo e ka botuar si “dokument pune” në “Akademinë Federale të Politikës së Sigurisë”, e ka mezenë brenda: në të diplomatja ankohet për “pamundësinë për të parashikuar politikën gjermane”, kur bëhet fjalë për eksporte armatimi. Pasoja është që firmat franceze të armatimit po e ndryshojnë orientimin e tyre: në drejtim të një prodhimi pa pjesë këmbimi gjermane, pra drejt një strategjie “German-free”, siç e quan atë Descôtes, përtej formulave të zakonshme diplomatike. Një paralajmërim, i cili nuk mund të formulohej në mënyrë më të qartë.

Teksti i ambasadores shkon edhe më tej: në temën e eksporteve të armatimit, aleates Gjermani nuk mund t’i besosh më. Koha e publikimit të dokumentit është zgjedhur me paramendim: në fund të kësaj jave merr fund ndalimi i eksportit në Arabinë Saudite për artikujt gjermanët të armatimit. Ky ndalim u vendos nëntorin e kaluar, pas vrasjes së gazetarit kritik ndaj regjimit, Jamal Khashoggi dhe zgjati në fillim deri në janar, për t’u zgjatur sërish deri në mars. Po të varet nga socialdemokratët në pushtet, ky ndalim për eksporte do të zgjatet edhe me gjashtë muaj të tjerë. CDU-ja e Kancelares Merkel dëshiron si tendencë që eksportet të rifillojnë.

“Kjo nuk është temë e politikës së brendshme gjermane”
Prej javësh partitë në pushtet në Gjermani grinden për këtë temë. Sa më pranë afrohet fundi i moratoriumit, aq më i ashpër bëhet toni në koalicionin e madh – për çudinë e madhe të qeverisë franceze. “Çështja e eksporteve të armatimeve, në Gjermani trajtohet para së gjithash si temë e politikës së brendshme”, komenton ambasadorja Descôtes, në një kohë kur ajo ka “pasoja të rënda” për bashkëpunimin me Francën dhe për politikën evropiane të mbrojtjes.

Aq më tepër kur Gjermania dhe Franca kanë planifikuar së bashku ndërtimin e një avioni të ri luftarak dhe të një tanku. Projekte të shtrenjta, të cilat nuk mund të financohen duke i shitur ato vetëm në Evropë, argumenton diplomatja franceze. Për eksportin në vende të tjera duhet të vlejnë “rregulla të parashikueshme”. Kur lejet e eksportit për “guarnicionet, kuzhinetat dhe motorët” duhet të presin një vit pa të jepen, kjo i kërcënon firmat e prekura dhe vendet e punës.

“Sistem i paparashikueshëm”
Ky shqetësim prek edhe qeverinë britanike: ndalimi i eksportit prek edhe avionin Eurofighter të tipit “Typhoon”. Ky avion luftarak përmban një numër të madh pjesësh gjermane këmbimi dhe përdoret nga aviacioni saudit – edhe në luftën e Jemenit. Meqenëse qeveria gjermane nuk lëvron për momentin pjesë këmbimi gjermane, zvarritet lëvrimi i avionëve të tjerë Eurofighter. Prandaj ministri i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt kërkon nga Gjermania që të mos përfshihen në ndalimin e eksportit projekte të përbashkëta evropiane. Franca ankohet se ndalimi gjerman prek edhe shtete të tjera, që nuk janë përfshirë në luftën e Jemenit. Ka të bëjë edhe me “eksporte për në Senegal, Indinë, Indonezinë ose Nigerinë”, shkruan ambasadorja franceze. “Kjo përforcon përshtypjen, që sistemi gjerman i kontrollit të eksporteve nuk është restriktiv, por i paparashikueshëm.” /DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb