Profili i eksporteve shqiptare drejt Serbisë dhe Kosovës ka pësuar ndryshime të ndjeshme gjatë 11-mujorit. Sipas të dhënave nga doganat shihet se shitjet e mallrave shqiptare në Serbi kanë shënuar një rritje me 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga 2.9 miliardë lekë që ishte vlera e eksporteve në janar-nëntor të 2015, në të njëjtën periudhë të 2016-s ata kaluan të 4 miliardë lekët. Në të kundërt, ekspansioni i shitjeve në Kosovë nga bizneset vendase ka rënë ndjeshëm. Gjatë së njëjtës periudhë u eksportuan 14.8 miliardë lekë mallra nga 19.5 miliardë lekë që u eksportuan në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rënie 23%.

Nga statistikat e INSTAT shihet se, me Serbinë janë dyfishuar eksportet e produkteve të peshkut. Gjithashtu, janë rritur ndjeshëm eksportet e perimeve dhe këpucëve. Tregtia me Serbinë shihet të jetë nxitur këtë vit edhe nga një relaksim i marrëdhënieve mes dy vendeve pas vizitave të shpeshta të kryeministrit Edi Rama me vendin fqinjë. Ndërsa tregtia me Kosovën vijon të vuajë pasojat e një konkurrence për shkak të profilit të njëjtë prodhues që kanë të dy vendet.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb