Eksportet kanë vijuar me ecurinë e tyre pozitive edhe në muajin nëntor, ndonëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar lehtë. Sipas të dhënave të INSTAT, për 11 mujorin, kompanitë shqiptare shitën jashtë vendit 251 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë (për 10 mujorin rritja kishte qenë 13.4%).

Rritja është e nxitur nga dy grupe kryesore, ai i “materialeve të ndërtimit dhe metaleve” dhe “tekstileve e këpucëve”, ndërsa “mineralet, lëndët djegës e energjisë” i kanë rikthyer rënies.

Grupi i “tekstileve dhe këpucëve”, për 11 mujorin, eksportoi 108 miliardë lekë mallra, me një rritje prej 9.9% në krahasim me 11 mujorin 2016. “Tekstilet dhe këpucët” zinin 43% të totalit për 11 mujorin, duke qenë grupi më i madh në vend, përsa i përket eksporteve. Ky grup ka si avantazh krahun e lirë të fuqisë punëtorë, dhe punon përgjithësisht me regjimin e përpunimit aktivi, me vlerë të shtuar të ulët, ndonëse vitet e fundit ka përpjekje për të mbyllur ciklin, sidomos në industrinë e këpucëve.

Eksportet e “Mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë” iu rikthyen rënies, pas ecurisë së dobët në nëntor, ku vetëm në një muaj ato ranë me 27%. Për 11 mujorin, tkurrja është gati 3%. Ngadalësimi i investimeve të Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend dhe moti i thatë që ka penguar eksportet e energjisë kanë ndikuar në këtë ecuri të dobët. Ky grup vijon të jetë i dyti, me 16% të totalit.

Një ecuri shumë pozitive këtë vit po vijon të shënojë grupi i “materialeve të ndërtimit dhe metaleve”, që për 11 mujorin ka shënuar dhe rritjen më të madhe në vlerë absolute me rreth 11.5 miliardë lekë (nga 29 miliardë lekë që ishte rritja në total e eksporteve), duke arritur në 40 miliardë lekë (+40.3%). Kurum, prodhuesi i çelikut, ndonëse në falimentim po vijon punën pas planit të riorganizimit, ndërsa ka një gjallërim të industrisë së çimentos dhe materialeve të ndërtimit. Pesha e këtij grupi ka arritur në 16%, sa ajo e “minerale, lëndë djegëse dhe energji”.

Eksportet e “pijeve, ushqimeve dhe duhanit” janë zgjeruar me 18% në 27 miliardë lekë, me ritme më të ngadalta rritjeje se një vit më parë.

Në rritje këtë vit janë edhe eksportet e “makinerive dhe pajisjeve”, që janë zgjeruar me 31%, por pesha e tyre mbetet e ulët, në 4% të totalit.

Pavarësisht gjallërimit, gama e eksporteve mbetet e ngushtë dhe e përqendruar në shitjen e krahut të lirë të punës dhe burimeve natyrore.

Sipas INSTAT, grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +4,4 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +1,9 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -0,5 pikë përqindje.

Sipas INSTAT, Shkëmbimet tregtare, për njëmbëdhjetëmujorin 2017, me vendet e BE zënë 66,3 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Nëntor 2017, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 77,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61,6 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (36,3 %), Greqia (6,9 %), Gjermania (6,9 %) dhe Kina (6,4 %).

Gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me (9,3 %), Kosova me (30,7 %) dhe Spanja me (107,2 %).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Turqia me (-8,7 %), Hollanda me (-10,1 %) dhe Zvicër me (-55,6 %)./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: