Eksportet kanë vijuar tendencën pozitive edhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, shitjet totale të kompanive shqiptare jashtë vendit u rritën me 21.6% me bazë vjetore për periudhën janar-shkurt.

Rritja është udhëhequr nga tekstilet e këpucët dhe materialet e ndërtimit dhe metalet.

Eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë” u rritën me 13.5%, duke arritur në 20.5 miliardë lekë. Tekstilet dhe këpucët janë grupi më i eksportuar në vend, me 43% të totalit. Industria po kalon një fazë të mirë për momentin, për shkak të rritjes së porosive nga partnerët e huaj, sidomos ata italianë. Ekspertë të sektorit pohojnë se ata janë në fazë zgjerimi dhe po hasin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore.

Grupi i dytë më i eksportuar është ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, i cili në vlerë absolute ka shënuar dhe zgjerimin më të madh. Eksportet e këtij grupi u rritën me 57%, duke arritur në 8.7 miliardë lekë. Ndikimin kryesor e ka dhënë kompania e prodhimit të çelikut Kurum, e cila pasi kaloi një fazë ristrukturimi, tashmë i është kthyer aktivitetit me ritme të larta. Pesha e materialeve të ndërtimit dhe metaleve ishte 18% për dy mujorin e parë të vitit.

Në vend të tretë janë eksportet e “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”. Ecuria e këtij grupi ka qenë e dobët, ndonëse i është rikthyer rritjes. Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, që pas ndryshimit të pronësisë ka ulur ritmet e investimeve, duke dhënë ndikimin kryesor në ecurinë e dobët të këtij grupi, që për 2 mujorin u rrit me 5.2%, në gati 8 miliardë lekë, duke kaluar në grupin e tretë më të madh të eksportuar në vend, me 17% të totalit. Dikur ai ishte grupi më i madh i eksportuar në vend.

Në zgjerim vitin e fundit kanë qenë dhe shitjet e “makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit”, si rrjedhojë e investimeve që janë kryer në industrinë që monton kabllo për industrinë e automjeteve. Eksportet e këtij grupi u rritën me 37% për 2 mujorin, duke arritur në 5.8 miliardë lekë. Dy kompanitë kryesore që operojnë në këtë sektor, me regjimin e përpunimit aktiv janë PSZ Electronic GMBH dhe Forschner, të dyja gjermane.

Ecuri pozitive kishin dhe shitjet e produkteve ushqimore, me rritje prej 13% për 2 mujorin. /Monitor/

Ecuria eksport

pesha eksportet

janar shkurt

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: