Galeria Kombëtare e Arteve për herë të parë është bërë pjesë e revistës më prestigjoze kushtuar artit bashkëkohor në botë, “ArtForum International”. Ekspozita “e-mages” e artistit shqiptar Helidon Gjergji, e kuruar nga Artan Shabani, çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve (31 Korrik – 7 Shtator 2014), është renditur mes ngjarjeve më të mira në fushën e artit bashkëkohor, për vitin që lamë pas, në numrin e fundit në versionin print. Artikulli i botuar në dhjetor 2014 në “Artforum” – best of 2014, është një këndvështrim profesional i cili vlerëson gjetjen dhe realizimin e artistit Helidon Gjergji në këtë shfaqje të tij.

Shoqëruar me një fotografi të performancës, artikulli shpjegon për lexuesin se video “e-mages” (2009), e Gjergjit, projektohet fillimisht mbi një pasqyrë të thyer e më pas pasqyrohet e copëzuar në mur. “Ndërkohë që statujat e Stalinit ruhen ende mbrapa Galerisë së Arteve, poema verbuese e Gjergjit kushtuar rrënjëve të së ardhemes sonë, na kujton se historia nuk duhet as varrosur dhe as romanticizuar. Nëse mund të mësojmë prej saj, atëher ka mundësi për shpresë”, mbyllet artikulli i Artforum. Renditja e ekspozitës “e-mages” nga revista Artforum në më të mirat e vitit 2014, të hapura në galeritë, muzetë dhe qëndrat më të mëdha të artit në mbarë botën, është një vlerësim ndërkombëtar për performancën e Galerisë Kombëtare të Arteve gjatë vitit së sapo u mbyll.

E përmuajshmja “Artforum International”, është revista më e rëndësishme e artit bashkëkohor në të gjithë botën. E botuar për herë të parë në vitin 1962 në San Francisco USA, prej gati gjysëm shekulli me qendër në New York, revista është tribuna e ngjarjeve dhe artistëve më të spikatur të artit bashkëkohor dhe sistemit ndërkombëtar të artit. Artforum arrin 50 mijë abonentë çdo muaj, ndërsa versioni online ka rreth 100 mijë vizitorë unik çdo muaj. Shkrimtarja dhe sociologia e artit Sarah Thornton, është shprehur se “Artforum” është për artin, si “Vouge” për botën e modes, apo siç ishte “Rolling Stones” për rock and roll-in.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: