Një ekspozitë e rallë me titullin “Tradita” është çelur sot në ambjentet e Galerisë së Arteve “Eduart Lear” në Berat. Ekspozita që synon të promovojë vlerat historike të çdo krahine të Beratit dhe çdo treve shqiptare u çel nën kujdesin e bashkisë së Beratit dhe Pallatit të Kulturës.

Rreth 230 kostume popullore të të gjitha trevave të Shqipërisë dhe veçanërisht Beratit,të qëndisura të gjitha me dorë,janë ekspozuar për të gjithë artëdashasit e kulturës dhe traditës beratase. Në kostumet e qëndisura nga dora e artistes Tefta Qose dallohet qartë mundi,djersa dhe pasioni i saj për traditën mijëra vjeçare të vendit tonë.

Ajo solli në këtë ekspozitë të veçantë kostumet popullore të të gjitha trevave të Shqipërisë, ku dallohen me motivet e detajet që bëjnë diferencën mes trevave. Për drejtorin e Pallatit të Kulturës në Berat,Arben Qafa,ekspozita e sotme është nga më të rrallat e çelura ndonjëherë në Berat. Sipas Qafës,kostumet popullore të çdo treve janë sjellë me një mjeshtëri profesionale dhe duke ruajtur çdo detaj të traditës dhe historisë sonë.

Vetë artisja Tefta Qose ka deklaruar në çelje të ekspozitës se,këto kostume popullore janë produkt i një pune të bërë në shumë vite,me shumë mund dhe djersë.Ajo ka pohuar se,të gjitha kostumet janë realizuar me qëndisje me dorë.

Ekspozita me kostumet popullore të çdo treve të Shqipërisë do të qëndrojë e hapur për 1-javë në ambjentet e Galerisë së Arteve “Eduart Lear” në Berat,ku gjithkush mund të shijojë këto punime dhe të njihet me traditën popullore ndër shekuj të çdo krahine shqiptare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb