Fotografi, harta dhe armatime, nga vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kësaj epopeje të ndritur të kombit shqiptar u ekspozuan sot në kuadër të 75-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë në Muzeun Historik Kombëtar, institucionin më të madh të kujtesës historike kombëtare.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në ekspozitë gjenden edhe libra të kohës së Luftës, si edhe libra të shkruar nga dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët veç aktit heroik të sakrifikimit për lirinë e Atdheut na kanë lënë edhe një trashëgimi të çmuar letrare.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, në çeljen e ekspozitës tha se “pushtimi i Shqipërisë nga fashistët italianë më 7 prill 1939, ishte një ndër aktet e para agresive të fashizmit në Europë. Kjo datë ka hyrë në histori si dita e parë e pushtimit fashist, por edhe si dita e parë e rezistencës së armatosur antifashiste të popullit shqiptar. Me pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania hitleriane filloi një periudhë edhe më e rëndë, por dhe heroike për Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Operacioni i qershorit përfundoi me disfatën e gjermanëve, të cilët patën mbi 3000 të vrarë dhe të plagosur. Më 29 Nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtimi gjerman”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte pjesëtare e Koalicionit të madh Antifashist Botëror. Misionet e huaja të vendeve aleate kanë dhënë kontributin e tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Misioni i parë britanik kryesohej nga majori Billi Maklin. Në tetor 1943, Drejtoria e Operacioneve Speciale mori udhëzim të dërgonte në Shqipëri një mision të nivelit të lartë, të kryesuar nga gjeneral brigade Edmond Dejvis, i cili do të bashkërendonte punën e grupeve angleze, që vepronin në Shqipëri. Pas kapjes rob të Dejvisit, misioni britanik u plotësua nga Norman Wheeler dhe Alan Palmer. Kryetar i Misionit Ushtarak Amerikan në Shqipëri ka qenë Thomas Stefan, ndërsa majori Ilia Ivanov ka qenë kryetari i Misionit Ushtarak Sovjetik.

Në fillim të pranverës 1944 Ushtria Nacionalçlirimtare numëronte afro 30 mijë partizanë efektivë, përveç mijëra të tjerëve, që mbushën radhët e çetave territoriale e të njësiteve guerrile të qyteteve. Gjatë mësymjes pranverore prill-maj 1944, forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare i dhanë armikut 50 goditje kryesore, duke i shkaktuar të vrarë, të plagosur dhe robër, si dhe i zunë shumë armë, municione e materiale luftarake.

Kështu u përgatitën kushtet për mësymje të përgjithshme strategjike, e cila çoi në çlirimin e plotë të vendit. Mësymja e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dallohet nga pjesëmarrja e madhe e forcave partizane në luftime të shkallës operativo-strategjike, nga zhvillimi i operacioneve dhe i betejave vendimtare për çlirimin e zonave, krahinave dhe qyteteve kryesore, deri në çlirimin e plotë të vendit, me reparte të përqendruara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: