Kur më 22 Nëntorin e këtij viti, që përkoi me kremtimin e ditës më të re festive kushtuar Alfabetit Shqip, u prezantua Drafti i Fjalorit të përditësuar të Gjuhës Shqipe, pakkujt i shkoi ndërmend se duhet të ishin politikanët ata që duhet t’i gëzoheshin më shumë përshfaqjes së tij. E para, se ky fjalor, fryt i një pune gati 4 vjeçare me gati 120 mijë njësi, do jetë mundësi e pareshtur për të shtuar fjalo-maninë e tyre të zbehtë, e dyta që do të kishin mundësi më të mëdha, t’u shpëtonin grackave, ku i kap shpesh ndërgjegjja publike.

Pak herë ndodh, që të dëgjosh një fjalim të liderit të opozitës, Berishës në ballkon, pa u shoqëruar me të shara dhe stigmatizime. Është po kaq e pamundur, që ndjekësit e tij të artikulojnë normal me një leksik të zgjedhur. SPAK është SKAP; kriminela të pangopur; banda e krimit; komunista më së shumti; Qeveria është Krimi, janë disa prej shumë sloganeve që artikulohen në kampin opozitar. Po u fol për Ramën, që nuk mund t’ia mohosh fjalorin e pasur, gjëja që të shkon ndërmend është përçmimi dhe mos marrja fare parasysh. Kryeministri socialist nuk lë mundësi pa i denigruar kundërshtarët e tij dhe e ka të vështirë të mësohet me kundërshtinë, paçka kush e bën atë. Nivelet e dyta dhe të treta të këtyre liderëve janë zgjatime me gati të njëjtën sintaksë dhe leksik dhe me shumë pak origjinalitet. Marrëveshja Rama-Berisha e “Vitit 2008” i ka dhënë dërrmën më të madhe argumentave dhe leksikut politik në vend.

Me një mënyrë të foluri, që lë shumë për të dëshiruar dhe ku ke mundësi të shikosh zhvillimin e mjerë të shkollimit shqiptar në dekadat e fundit, politikanët i fusin trupit të tyre gjuhësor, që nga fjalët e shumta të huaja dhe një shumësi bajate fjalësh popullore, që zakonisht formësohen më së pari te liderat. Një pjesë e tyre mundohet të ketë dhe të ruajë karakterin e një individualiteti, por kurrë duke krijuar një shkolle të retorikës politike. Përdorimi i boshtë i fjalëve dhe frazave popullore dhe përshtatja me regjistrin e të tjerëve i nxjerr një pjesë jo të pakët tek PD-ja jo thjesht zgjatime, por edhe frikshmërisht ushtarësh të devotshëm të një shqetësimi të qenësishëm për të qëndruar me doemos në politikë. Më keq, tek e Majta, sepse pas zgjedhjeve të regjistrave të kuruar të të folurit, dhe individualiteteve, kemi parë servilizmin te Rama dhe tek drejtimi i tij. Apoteozat e znj. Spiropali për Ramën tashmë janë fushë studimi dhe jo vetëm jo, sepse kolegë të tjerë e teprojnë po kaq me Berishën. Ndoshta ka ardhur koha, që studiuesit e letërsisë së kohës sonë, të punojnë për filologjinë kundër propagandave të politikës së sotme demokratike. Është e çuditshme sesi në 100 vitet e fundit, politikanët i shmangin kundërshtarët e tyre, ose si i përjashtojnë opozitat edhe me leksikun bajat. Nuk po flasim thjesht për “klasikët” Musolini, Hitler, Stalin dhe Enveri tek ne, por për ata, që në shekullin tonë mëtojnë se kanë futur apo përshtasin konceptet e demokracisë. Për fatin e keq, janë njerëz që nuk riciklohen dhe e kërkojnë mbajtjen e pushtetit, ashtu si përdorin vetëm një fjalor, që është mirëfilli ndarës. Edhe sot në ditët tona, referimet e tilla shkojnë deri në SHBA, populli nënkupton vetëm një pjesë të njerëzve dhe jo të gjithë, kurse gati në të gjithë familjen e populistëve dhe autokratëve, përdoren rëndom fjalët betejë dhe armiq. Edhe pse në demokraci, u thuhet dhe u stërthuhet politikanëve se ka mëtues për pushtet ose kundërshtarë politikë, tek ne Berisha kundërshtarët i etiketon me figurën e armikut. Rama i denigron deri në atë që ata janë pjesa tjetër e urryer e anormalitetit, kurse liderët e tjerë më të vegjël, shkojnë sipas perceptimeve të tyre, përpos pak përjashtimeve. Mjeti ku projektohen të gjitha këto mbetet televizioni.

Kemi shfrytëzuar sërish logjikën e Timothy Snyder dhe apelin publik që ai bën në grupin e eseve të tij “Mbi Tiraninë”: “Politikanët në kohën tonë ushqejnë klishetë e tyre në televizion, ku edhe ata që dëshirojnë të mos jenë dakord i përsërisin ato. Televizioni, në dukje, ka për qëllim të sfidojë gjuhën politike duke dhënë pamje, po kalimi nga një kuadër filmik në tjetrin mund të pengojë një ndjenjë vendosmërie. Çdo gjë ndodh shpesh, por në fakt nuk ndodh asgjë. Çdo lajm në televizion është ‘lajmi i fundit’ derisa zëvendësohet nga një tjetër”, shkruan Snyder në esenë e tij “Sillu mirë me gjuhën”. Në të njëjtin vijë logjike, të duhet që të besosh se gjuha shqipe duhet të përkufizojë apo duhet ta përshkruajë këtë realitet të shpërfytyruar në Shqipëri me të gjithë pasurinë e saj. E jo thjesht me leksik por edhe koncepte, ku ne na duhet të kënaqemi dhe të varemi nga ky stimulim vizual. Gati është njësoj me një tablo pikture, kur qëndrojmë para saj. Ne e marrim këtë ekstazë si normalitet, thekson Snyder, që në një farë mënyrë përcjell mjerimin tonë të sotëm, ku fasha të ndryshme shoqërore i janë larguar librit dhe kulturës, për të shkuar te rrjetet sociale dhe në sipërfaqësinë e emëtimeve nga TV. Edhe pse sot, TV është një mundësi që po bjerret nga mungesa e besueshmërisë dhe e dyta nga cilësia e produkteve mediatike (që për shkak të shumësisë) po humbin shpërfaqjen e vlerave. Lajmet e stër shumta e kanë tollovitur shumë mjedisin social dhe këtu peshkon sot politika me një narracion gati luftarak dhe referime “armiqsh”. Nga ana tjetër, njeriu i kohës sonë ka mendjen (me plot mundësi abstragimi), shkollimin dhe gjithnjë e më shumë burime informacioni, që të bëjnë të jesh më i fiksuar me kohën ku jetojmë. Sikur t’i kishin ndjerë këtë kohë, Orwell dhe Bradbury, respektivisht me “1984” dhe “ Fahrenheit 451” e kishin paraparë të gjithë këtë zhvillim.

Ndërkohë që ka lajm të mirë, pasi shkrimtarët dhe filozofë të tillë si: Kadare, Kundera, Roth, Arendt, Benjamin, Bauman, Milosz e shumë të tjerë, shtuar me poetët e mëdhenj klasikë të ndihmojnë paq, të kalosh këtë angushti, kurse politikanëve u jep një mundësi që t’i ikin shterpësisë së tyre, duke na risjellë të njëjtën situatë (nëse duan) pa me armiq dhe beteja. Vetëm se kjo nuk kuptohet më. Apeli i të gjithëve është ai që ndodhi pas vrasjes së djalit14-vjeçar, është shkëputuni nga interneti me rrjetet sociale problematike dhe kthejuni leximit dhe kulturës! Kurse, Snyder merr si referim modelin politik amerikan, më i përparuari në botën demokratike dhe apelon që njerëzit duhet t’i kthehen leximit kaq thukët, duke përdorur madje deri një element kristian, por që në forma gati të njëjta e gjen në të gjitha religjionet: “Dhe, ti do të dish të vërtetëm, dhe e vërteta do të bëjë ty të lirë”. Vetëm kështu kjo ekstazë kolektive, ku po na çon politika falë TV nuk do të jetë më normalitet, po njerëzit do t’i gëzohen dhe lajmit të Fjalorit, që tashmë është përcjellë për miratim publik, në një shoqëri, që pothuaj nuk i bëri asnjë përshtypje. (Homo Albanicus)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: