TIRANË- Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, është kryer sot ekstradimi nga Britania e Madhe drejt vendit tonë i shtetasit, Fatmir Xhelili, alias Çaushaj (Çaushi), alias Fatmir Krasaj, 41 vjeç, në Vlorë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin më 5 mars të vitit 2003, e ka dënuar shtetasin e mësipërm me “Burgim të Përjetshëm“, për kryerjen e veprës penale të  “Vjedhje me armë në bashkëpunim me pasojë vdekjen”.

Ngjarja për të cilën akuzohet 41-vjeçari ka ndodhur më 17 prill 1997 rreth orës 05:00. Sipas policisë Fatmir Caushi në bashkëpunim me shtetasin Tomor Caushi, të maskuar  dhe me armë zjarri, kanë ndaluar automjetin tip furgon në një kthesë afër fshatit Ploce.

Këta shtetas kanë grabitur pasagjerët, ku dy prej pasagjerëve H.Xh. dhe R.N. janë qëlluar me armë zjarri dhe nuk kanë mundur të mbijetojnë me gjithë ndihmën e dhënë në spitalin më të afërt.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Manchester, u bë i mundur arrestimi i tij në Britaninë e Madhe me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në Rinas shtetasi i sipërpërmendur iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb