TIRANË- Nga Zyra Qendrore Interpol Tirana është kryer ekstradimi nga Milano, Itali, drejt vendit tonë, i shtetasit Robert (Ardian) Frroku, 42 vjeç, banues në Lezhë. Ai ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Shkodër, me Vendimin Nr.77,  datë 21.03.2011, e ka dënuar me 3 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.


Sipas policisë shtetasi Robert Frroku, ka organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit, për katër shtetas shqiptare, me destinacion Italinë. Nisja e tyre, është bërë, nga qyteti i Lezhës, ku nëpërmjet një taksie shtetasi Robert Frroku, i ka dërguar shtetasit shqiptare në PKK, Hani i Hotit, Shkodër.


Pasi kanë kaluar kufirin po me taksi, shtetasit shqiptarë kanë shkuar në Podgoricë të Malit te Zi, në pritje të një tjetër taksie, që do të dërgonte shtetasi Robert Frroku për t’i marrë e dërguar në Itali, por gjatë pritjes, janë kapur nga Policia malazeze dhe janë kthyer ne PKK Hani i Hotit. Për dërgimin e tyre në Itali, shtetasit shqiptarë kanë deklaruar së kanë paguar nga 2800 euro secili.


Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Calcinato, Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Etiketa: