NGA MARIGLEN MËRTIRI
TIRANË- 10 shkolla në 5 qarqe të vendit janë përzgjedhur nga ministria e Arsimit për pilotimin e draftkurikulës së re për mësimin e nxënësve mbi fenë në shkolla. Edhe pse një nismë e kryeministrit e mbështetur nga Ministria e Arsimit që në prill, kjo kurikulë e re e cila do të përfshihet tek lënda qytetari do të pilotohet në klasat e 6 dhe të 10 të arsimit parauniversitar.

News24 zbardh urdhrin për nisjen e trajnimeve të mësuesve të lëndës qytetari nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit si dhe 10 shkollat e përzgjedhura në 5 qarqet Shkodër, Lezhë, Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.

Megjithëse kryeqyteti, në urdhrin e lëshuar ka vetëm dy shkolla: shkollën 9-vjeçare “Dora Distria” dhe Gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz, një tjetër urdhër verbal nga Drejtoria Rajonale e Tiranës ka kërkuar edhe përfshirjen e 5 gjimnazeve “Petro Nini Luarasi”, “Arben Broci”, “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa” dhe “Ismail Qemali”.

Vetë Ministria e Arsimit nuk pranon të komentojë se kur do të nis ky pilotim në shkollat shqiptare dhe nëse është përgatitur moduli i ri për këtë çështje dhe çfarë përmban konkretisht ai. Kjo nismë e cila konsiderohet si njohuri për të shmangur ekstremizmin nga të rinjtë është mbështetur edhe nga disa vende europiane nëpërmjet ambasadave të tyre në Tiranë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb