Koordinatori kombëtar i qendrës kundra ekstremizmit të dhunshëm Agron Sojani i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në “News 24” foli ndër të tjera për shqiptarët që kanë qenë në Siri dhe si trajtohen ata. Sojani tha se në sajë të masave që janë marrë, duke filluar nga viti 2015, asnjë shqiptar nuk ka shkuar në Siri, ndërsa foli edhe për 16 fëmijë të kthyer nga zonat e luftës dhe kujdesin që tregohet për ta.
“Ka raste për fat të keq ka pasur persona që kanë shkuar në Siri dhe në Irak, duke keqpërdorur fenë. Është negative që një grup shqiptarësh ikën në Siri e Irak, por mund të quajmë pozitive se një pjesë e shqiptarëve vendosën që të kthehen, sepse ata kishin hasur në realitet tjetër nga se iu ishte premtuar. Duke filluar nga viti 2015, nuk ka më shqiptarë që të ikën në zonat e konflikteve. Ka ende shqiptarë për fat të keq që ndodhen në Siri dhe zona të konfliktit. Periudha nga viti 2011 -2012 ka qenë e fundit kur shqiptarët janë larguar. Për të kthyerit ka pasur trajtim ligjor dhe social, për shkak të çështjes.
Në informacionin që kemi ne, rreth 16 fëmijë kanë qenë në Siri dhe vijnë nga zona ku kanë qenë të ekspozur me dhunë e terror. Për fëmijët ka nevojë për kujdes social e special”, deklaroi Sojani.
Agron Sojani theksoi se Plani Kombëtar i Veprimit po bashkëpunim me autoritetet shqiptare, me qëllim që kujdesi social për persona në nevojë apo të prekur nga fatkeqësitë të jetë më i madh.
“Vetë strategjia po ofron një kulturë të re dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duhet me patjetër që të ketë ura besimi. Disa aktivitete paraqiten në media, ndërsa ka edhe aktivitete që zhvillohen përditë, por thjesht nuk paraqiten në media.
Ngarkesën kryesore e merr Ministria e Arsimit me rreth 28 mijë mësues që ka në sistem, bashkëpunojmë edhe me Ministrinë e Brendshme, atë të Administrimit Publik, Ministrinë e Drejtësisë. Bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë bëhet për të njohur nga afër jetën e atyre individëve që janë dënuar për ekstremizëm ose terrorizëm. Këta individë e kanë të vështirë që të kthehen në jetën normale, por ne përpiqemi.
Në Ministrinë e Financës kemi dy kompententë të rëndësishëm. Plani kombëtar përfshin të gjitha strukturat që ne përmendëm, por duke pasur bashkëpunim edhe me komunitetet fetare, organizatat civile etj. Sa i përket oorganizateve fetare, ne jemi me fat në Shqipëri që kemi një tolerancë fetare. Plani Kombëtar i Veprimit është bërë i ditur për Komunitetet Fetare dhe ata përpiqen të ndihmojnë”, tha Sojani.
(d.xh/Balkanweb)