Nga SHABAN MURATI*

Emri “Turkish Stream” (“Rryma turke”), që ka marrë projekti i gazsjellësit të ri Rusi-

Turqi, i cili do të zëvendësojë gazsjellësin e sapombyllur rus “South Stream”, është tepër domethënës për të shpjeguar dhe kuptuar ndryshimet dhe lëvizjet e reja strategjike, që po ndodhin në hartën energjetike europiane dhe ndërkombëtare. Heqja dorë nga presidenti rus e ndërtimit të gazsjellësit “South Stream” dhe marrëveshja me Turqinë për të ndërtuar nëpër Detin e Zi një gazsjellës të ri, që do të lidhë Rusinë me Turqinë, është një lëvizje, e cila sjell në një dritë të re një faktor dhe një aktor tepër të rëndësishëm në planin gjeopolitik europian, Turqinë. Rëndësia e veçantë e Turqisë u konfirmua edhe në platformën energjetike, që Aleks Miler, presidenti i kompanisë së madhe shtetërore ruse të gazit “Gazprom”, i parashtroi komisionerit të BE për Energjinë, Maros Shefçoviç, në bisedimet e tyre në Moskë në datën 14 janar. Aleks Miler paraqiti dy shtylla të politikës së re energjetike ruse në drejtim të Europës. Njëra është që gazsjellësi “Turkish Stream” është e vetmja rrugë për të furnizuar në Europë 63 bilionë metra kub gaz rus, që tani tranzitohen përmes Ukrainës, dhe nuk ka rrugë tjetër. Shtylla e dytë është që Bashkimi Europian duhet ta ndërtojë vetë tani infrastrukturën e transportimit të gazit nga kufiri turko-grek, ku do të përfundojë gazsjellësi “Turkish Stream” me një terminal të madh gazi në territorin turk, destinuar për në vendet europiane. Cilatdo qofshin strategjitë dhe prapamendimet e Rusisë në drejtim të politikës së saj të re energjetike, ajo që shfaqet e qartë dhe i duhet kushtuar vëmendje, është një rol i ri i jashtëzakonshëm i Turqisë në çështjen e furnizimit dhe sigurisë energjetike europiane dhe në planifikimet gjeopolitike kontinentale. Kjo pamje e re e hartës dhe e kushteve energjetike evidenton rolin e Turqisë në një dimension të ri të rëndësishëm dhe që forcon potencialin e saj si fuqi rajonale.

Së pari, Turqia nuk është thjesht vendi tranzitues i gazit rus. Do të ishte naive që të trajtohej gazsjellësi “Turkish Stream” vetëm si zëvendësues i gazsjellësit të vdekur “South Stream”, i cili do ta kishte startin e vet në Bullgari. Turqia nuk është Bullgaria dhe nuk mund të mendohet që Rusia mund të ushtrojë të njëjtin presion dhe të sigurojë të njëjtat kontrata të pafavorshme, si ato që realizoi me Bullgarinë. Jo rastësisht gazsjellësi i ri e ka marrë emrin “Turkish Stream” dhe nuk mund të mendohej kurrë që Rusia të pranonte që gazsjellësi i mëparshëm rus të quhej “Bulgarian Stream”. Ministri i Energjisë i Turqisë, Taner Yilldiz e theksoi qartë këtë peshë dhe rol të ri të Turqisë me gazsjellësin e ri, kur deklaroi se Turqia nuk do të jetë kurrsesi thjesht një vend tranziti i gazit rus, por do të jetë shpërndarës për në tregun europian. Së dyti, fakti që Rusia i vendosi Bashkimit Europian kushtin që ai duhet ta ndërtojë vetë infrastrukturën transmetuese të gazit nga kufiri turko-grek për në vendet europiane, do të thotë se Ankaraja fiton profilin e partnerit dhe që Bashkimi Europian do të duhet të zhvillojë tratativa me Turqinë për modalitetet e lidhjes së kësaj infrastrukture europiane me terminalin qendror, që do të ndërtohet në territorin turk. Së treti, sipas hipotezave të hedhura në mediat turke, ekziston mundësia që Turqia të aspirojë të bëhet shteti i rishitjes së gazit rus. Kjo do të thotë se Turqia mund të arrijë të blejë pjesën më të madhe të gazit rus, që do të vijë nga “Turkish Stream”, jo për nevojat e veta, por për ta rieksportuar atë në drejtim të vendeve europiane. Kjo do ta bënte gazin rus të transformohej në gaz turk dhe do ta detyronte Bashkimin Europian të hynte në tratativa direkte me Turqinë për blerjen e këtij gazi, gjë që natyrisht e rrit forcën dhe kapacitetet negociuese të Turqisë në raportet me Bashkimin Europian dhe do ta bënte Turqinë më të nevojshme për Bashkimin Europian. Roli i ri gjeopolitik i Turqisë bëhet më i rëndësishëm, sepse territori turk bëhet kryqëzim dhe vend kalimi i linjave kryesore të furnizimit të Europës, si me gaz rus, ashtu dhe me gaz jorus. Qeveria turke e bëri të qartë këto ditë se gazsjellësi TANAP, që do të sjellë gazin azerbajxhanas në Turqi, mbetet prioritet i saj, dhe po ashtu dhe gazsjellësi Transadriatic, TAP, që do të transmetojë gazin e Kaspikut nga Azerbajxhani në Itali, nëpërmjet Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Madje Ankaraja e bëri të qartë se ajo është e gatshme të lejojë edhe kryqëzimin e gazsjellësve të tjerë nëpër territorin turk në drejtim të Europës, që do të sjellin gaz nga Iraku, Qipro apo Irani. Strategjia energjetike turke synon një balancim të burimeve, të furnizuesve, dhe të gazsjellësve, që kalojnë nëpër territorin e saj, gjë që nuk lejon hapësirë për dominim të njërës apo tjetrës palë prodhuese të gazit.

Ky kuadër energjetik dhe planifikim strategjik sjell një rol të ri energjetik dhe gjeopolitik të Turqisë, i cili pritet të shkaktojë dhe të krijojë lëvizje të reja në politikën dhe në marrëdhëniet energjetike ndërkombëtare, si dhe në diplomacinë energjetike të shumë vendeve, si të rajonit të Europës Juglindore, ashtu dhe të krejt kontinentit europian.

Ajo, që konstatohet qysh në ditët e para të shpalljes së projektit të ri “Turkish Stream” nga presidenti i Rusisë dhe nga presidenti i Turqisë në Ankara në datën 1 dhjetor 2014, është një ofensivë e re politike dhe diplomatike e shumë shteteve për të siguruar një vend apo një farë roli në projektet e reja të gazsjellësve dhe sidomos në gazsjellësin “Turkish stream”. Deri tani nuk është vendosur dhe shpallur asgjë as nga Rusia dhe as nga Turqia, sepse kuptohet që ai është së pari një biznes i madh ruso-turk dhe së dyti është ende në fazën embrionale. Por alternativat e trajektoreve të gazsjellësit “Turkish Stream” po bëhen objekt i ambicieve, i planifikimeve, i demarsheve, i joshjeve, i blofeve dhe i programeve të shumta politike dhe diplomatike në rajonin e Europës Juglindore. Prapa kuintave të bisedimeve politike të nivelit të lartë kanë filluar të qarkullojnë disa ide dhe teza për disa pozicione të trajektores së infrastrukturës së gazit, që vendet europiane do të marrin nga “Turkish Stream”. Bullgaria nga ana e saj po përpiqet që të realizojë dy variante. Së pari, po tenton që të rikthejë gazsjellësin e vdekur “South Stream”, për vdekjen e të cilit Moska akuzon pikërisht Sofjen, dhe në vend që ta marrë nga Deti i Zi gazin rus, siç parashikonte “South Stream”, po synon ta marrë nëpërmjet tokës nga gazsjellësi “Turkish Stream”. Së dyti, Bullgaria po shpreson të ringjallë ëndrrën e rivitalizimit të gazsjellësit “Nabucco”, një projekt i dikurshëm europian, i mbështetur nga BE dhe SHBA, të cilin e eliminuan Rusia dhe Azerbajxhani në vitin 2013, duke zgjedhur si alternativë furnizimi për Europës gazsjellësin Transadriatic, TAP. Të dyja planet e Bullgarisë nuk duken të realizueshme, sepse Rusia nuk e anuloi gazsjellësin e saj nëpër Bullgari nga Deti i Zi, që t’i japë asaj të njëjtën gjë nëpërmjet tokës nga Turqia. Dhe sa për “Nabuccon”, edhe për atë projekt nuk ka furnizues gazi, sepse as Rusia dhe as Azerbajxhani nuk e pranuan atë. Serbia ndodhet në një pozitë akoma më të vështirë me mbylljen e gazsjellësit rus “South Stream”. Ndryshe nga Bullgaria, ajo nuk i hapi asnjë problem Rusisë dhe ajo po vuan pasojat e përplasjes ruso-bullgare për gazsjellësin. Qeveria serbe madje refuzoi të bashkohej me sanksionet e BE kundër Rusisë, duke ndjekur politikën e saj tradicionale proruse. Serbia është humbësja më e madhe nga mbyllja e gazsjellësit “South Stream”, sepse Rusia e kishte piketuar atë si depozita më e madhe e gazit rus dhe si qendër energjetike europiane. Tani Serbia po lufton që të ringjallë në një farë forme, si trajektoren e gazsjellësit të mbyllur “South Stream”, ashtu dhe rolin qendror, që ai gazsjellës i jepte Serbisë në Ballkan. Për këtë qëllim Serbia po lufton së tepërmi që të rikrijohet e njëjta vijë e gazsjellësit të mëparshëm rus, por tani në vend të Bullgarisë të jetë Greqia starti i një gazsjellësi, që do të kalojë nga kufiri turko-grek nëpër Serbi. Planifikuesit strategjikë serbë po përpiqen të krijojnë hapësirë për një trajektore, që do të lidhte Greqinë, Maqedoninë dhe Serbinë, si tre shtete ortodokse të aksit verior, dhe ku Serbia do të kërkonte rolin e mëparshëm qendror energjetik. Këtë alternativë të këtij aksi verior qeveria serbe e trajtoi edhe në bisedimet, që zhvilloi në Beograd në 14 janar me ministrin e Jashtëm hungarez, për të angazhuar në favor të saj edhe lobingun e Hungarisë, për shkakun se qeveria aktuale hungareze konsiderohet ndër qeveritë më proruse në gjirin e Bashkimit Europian. Greqia nga ana e saj po kërkon në rrethanat e reja që ta shndërrojë situatën e terminalit të gazit rus në Turqi në një shans për marrjen e një roli të ri në hartën energjetike europiane. Ish-deputeti dhe drejtues i politikës energjetike të partisë së rëndësishme greke “Syriza”, Athanasios Patrakos, i deklaroi organit rus “Sputnik”, pas bisedimeve mes “Gazprom”-it dhe BE-së në Moskë, se “vendimi rus për transmetimin e gjithë gazit nga Turqia krijon një situatë të re gjeopolitike dhe kjo i jep Greqisë një shans të madh të rrisë rolin e saj gjeopolitik”.

Në qarkullim të brendshëm janë hedhur ide dhe për dy alternativa të infrastrukturës së gazit nga kufiri turko-grek për në vendet europiane, të cilat kalojnë nëpër Ballkan. Të dyja alternativat përfshijnë edhe Shqipërinë në grupin e shteteve tranzituese, si tek njëra, që skicohet të kalojë nga Turqia në Bullgari, Maqedoni, Shqipëri, Mali i Zi, Bosnjë, Kroaci, Hungari dhe Austri, ashtu dhe tek alternativa tjetër, që, në vend të kalimit nga Bullgaria, vjen nga Turqia në Greqi, Maqedoni, Shqipëri, Mali i Zi, Bosnjë, Kroaci, Hungari dhe Austri. Pavarësisht se gjithë alternativat e trajektoreve janë në fazën e ideve fillestare të diskutimit, çdo shtet i rajonit apo i kontinentit po tenton të apdejtohet me zhvillimet e reja në hartat e lëvizshme dhe në intrigat energjetike. Përpara është një ekuacion i ri energjetik, që quhet “Turkish Stream”. Ka shumë të panjohura, që nga dy aktorët kryesorë, që janë Rusia dhe Turqia, e deri te vetë Bashkimi Europian, i cili paraqitet konfuz dhe bën tani edhe deklarata pozitive ndaj një gazsjellësi, që nuk e ka dashur kurrë, si projekti rus “South Stream”. Por rreth tyre dhe rreth vorbullës energjetike po vërtiten qeveritë dhe diplomacitë e të gjitha shteteve. Në këtë kuadër mendoj se edhe Shqipëria duhet të nisë dhe të lëvizë për gjetjen e një vendi në mozaikun e ri energjetik apo të një roli më të madh, që do të përputhet me interesat e saj energjetike dhe strategjike. Është mirë që në disa alternativa, qoftë dhe teorike, është përmendur edhe emri i Shqipërisë. Por do të jetë akoma më mirë nëse vetë Shqipëria do të ofrohet me ide dhe projekte, që konkretizojnë një rol të saj në ekuacionin e ri dhe të shumëfishtë energjetik. Nuk duhet harruar se Shqipëria ka një konjukturë të re strategjike, që është në favorin e saj dhe, siç theksova edhe në një analizë në faqet e kësaj gazete në datën 8 dhjetor 2014, mbyllja e gazsjellësit “South Stream” rrit rolin e vendit tonë. Shansi i madh është se aktor me peshë vendimmarrjeje dhe faktor i ri determinues energjetik dhe gjeopolitik po bëhet Turqia dhe “Turkish Stream” është një rrethanë e re rajonale dhe kontinentale, krejtësisht e ndryshme nga gazsjellësi i mëparshëm rus “South Stream”. Shqipëria duhet të jetë e gatshme të ofrojë territorin e saj për tranzitimin e infrastrukturës së re europiane të transmetimit të gazit. Jo vetëm Turqia, por edhe Greqia dhe disa shtete të tjera ballkanike, janë ofruar si territore, ku mund të kalojnë dy apo tre gazsjellës. Mund ta ofrojë edhe Shqipëria. Shqipëria ka avantazhin që tani në vendimmarrje është ulur edhe Turqia, e cila është aleat strategjik i Shqipërisë dhe Shqipëria është i vetmi shtet i Ballkanit, që ka me Turqinë marrëdhëniet më të mira se çdo shtet tjetër i rajonit. Në këtë sens, Tirana do të bënte mirë të ndërmerrte përçapje shtetërore në drejtim të Ankarasë dhe të koordinonte me të lëvizjet energjetike, me qëllim që vendi ynë të përfitojë një rol më të rëndësishëm në transmetimin dhe kryqëzimin e rrjeteve të gazsjellësve prioritarë, që do të furnizojnë me gaz vendet europiane. Ardhja e një rrjeti gazsjellësi të ri, pas suksesit të arritur me vendimin ndërkombëtar për të kaluar gazsjellësit TAP dhe IAP nëpër territorin shqiptar, do të shtonte vlera strategjike dhe gjeopolitike për shtetin dhe për kombin shqiptar. Pozicionet strategjike nuk janë një e dhënë e ngurosur. Ato forcohen e konsolidohen me lëvizje dhe manovrime të shkathëta në garën e madhe dhe të përhershme të përplasjes së interesave me vendet e tjera të rajonit. Lufta për gazin është konkurrencë e pamëshirshme, pra luftë e gjithanshme politike, ekonomike, energjetike, diplomatike, strategjike, gjeopolitike etj. dhe fiton ai që rri gjithmonë zgjuar.

(os.de/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: