Ekuadori po përpiqet të gjejë një mënyrë që themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, të largohet nga ambasada e vendit në Londër pas pesë vitesh, shkruan e përditshmja britanike Daily Mail.

Ndërsa ambasada nuk tha qartë se donte të largonte Assange – i cili ka zemëruar presidentin e Ekuadorit duke kritikuar aleatët e tij politikë në botë – një deklaratë e saj e përshkruan situatën e Assange si “të pambrojtur”.

Vendi i Amerikës së Jugut po kërkon një palë ndërmjetëse të tretë për t’i ndihmuar që të arrijnë një marrëveshje me Britaninë në lidhje me Assange.

Ministrja e Jashtme Maria Fernanda Espinosa tha të martën se Ekuadori po ‘konsideron dhe eksploron mundësinë e ndërmjetësimit’ për t’i dhënë fund qëndrimit të tij 5-vjeçar në ambasadën e tyre në Londër.

“Asnjë zgjidhje nuk do arrihet pa bashkëpunim ndërkombëtar dhe bashkëpunimin e Mbretërisë së Bashkuar, e cila gjithashtu ka shfaqur interes për të gjetur një zgjidhje”, iu tha ajo gazetarëve në Quito.

Por ekipi ligjor i Assange thotë se ai vazhdon të mbahet në mënyrë të paligjshme.
Në një deklaratë të tyre thuhet se: “Vendimi i OKB-së, i lëshuar pothuajse dy vite më parë, është shumë i qartë, Julian Assange po mbahet në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare nga autoritetet e Britanisë dhe duhet të lirohet.”

Sakaq një zëdhënës i kryeministres britanike tha se ‘Qeveria e Ekuadorit e di mënyrën se si të zgjidhë këtë çështje për Julian Assange që të largohet nga ambasada dhe të përballet me drejtësinë’.

Lëvizja nga ana e Ekuadorit vjen disa muaj pasi presidenti i vendit Lenin Moreno paralajmëroi Assange të shmangte deklarata nxitëse politike dhe të komentonte mbi çështje që përfshijnë aleatët e vendit.

Assange u shpreh në mbështetje të lëvizjes separatiste të Katalonias dhe menjëherë Presidenti i Ekuadorit i kërkoi që të mos përzihej në krizën e Spanjës.

Assange ju përgjigj Morenos përmes një postimi në Twitter ku e akuzonte se po përpiqej që t’i mbyllte gojën.

“Nëse presidenti Moreno dëshiron që unë të hesht në lidhje me abuzimet e të drejtave të njeriut në Spanjë atëherë ai duhet ta shprehë qartë këtë- së bashku me një bazë ligjore”, shkroi Assange në postimin e tij.

Kjo është hera e parë që Ekuadori ka propozuar ndërmjetësim për të zgjidhur çështjen.

daily

(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb