Partizani me Teutën ishte sfida mbyllëse e javës së 12-të në kategorinë Superiore. Të “kuqtë” e drejtuar nga Starova janë treguar cinik, por gjithsesi kanë arritur të marin një fitore shumë të vlefshme për objektivat e vendosura në kampionat.

Takimi në “Elbasan Arena” nis pa raste të rrezikshme, me skuadrat që përpiqen të studiojnë njëra-tjetrën. Trashi do të ishte i pari që do të jepte shkëndijën në këtë ndeshje, por që goditja e tij do të kalonte ngjitur me shtyllën. Kërcënimi i dytë do të vinte nga qendërmbrojtësi Malota, por njëjtë si në rastin e parë topi përfundon pak centimetra jashtë. Një pjesë e parë e vakët e cila mbyllet me shifra të bardha.

Partizani në pjesën e dytë futet me mendje tjetër dhe ia arrin të shënojë. I përhershmi Ekuban do të kalonte të “kuqtë” për të parën herë në avantazh. Minutat në vijim flasin për ekipin e Starovës, por gjithsesi nuk arrin të dyfishojë rezultatin. Teuta nuk reagon duke lënë kështu në fuqi golin e shënuar nga Ekuban.

Me fitoren e arritur Partizani fiton një vend në renditje duke kaluar Tiranën e cila barazoi sot në Kukës. Si asnjëherë më parë Teuta ka grumbulluar vetëm 8-të pikë në 12-të javë kampionat, duke u renditur e 8-ta. Kjo është humbja e tretë radhazi për “blutë” e Durrësit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: