Pak orë pas ekzekutimit në pritë të 37-vjeçarit Erion Millo në Elbasan, policia e këtij rrethi ka shoqëruar 9 persona, si dëshmitarë dhe të dyshuar por nuk ka mundur të marrë dot asnjë të dhënë.

Burime nga blutë e Elbasanit, thanë për ‘BalkanWeb’ se dëshmitarët kanë refuzuar të japin detaje apo informacion për rrethanat në të cilat u ekzekutua Millo, i kthyer prej pak kohësh nga emigrimi, duke u shprehur se nuk kanë arritur të shohin gjë për shkak të errësirës.

37-vjeçari u qëllua me armë zjarri në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës në një nga rrugët kryesore të qytetit të qytetit të Elbasanit që lidh vendin e quajtur “Tri Urat ” me stacionin hekurudhor.
Policia deklaron se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja, kalibër 7.65 mm.

Policia ka shoqëruar 9 shtetas si të dyshuar apo që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, policia po heton disa pista, ndërsa nuk përjashtohet se krimi ka ndodhur nga vrasës me pagesë.
Mësohet vetëm se Millo ka gjetur vdekjen gjatë transportimit për në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Sipas burimeve, 37-vjeçari ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij drejt stacionit të trenit me destinacion një lokal që ndodhet poshtë pallateve të kësaj rruge. Aty dyshohet se i kanë zënë pritë të paktën dy persona dhe njëri prej tyre e ka qëlluar me armë zjarri.

Viktima frekuentonte shpesh zonën në fjalë dhe dyshohet se ai është ruajtur dhe ndjekur nga pas nga autorët. Millo më herët ka qenë emigrant. Policia ka ngritur postblloqe në të gjithë qytetin e Elbasanit si edhe akset kryesore që e lidhin atë me kryeqytetin si edhe me Korçën dhe Gramshin me qëllim kapjen e autorëve. Në ndihmë të Policisë së Elbasanit për kapjen e autorëve kanë mbërritur në Elbasan vetëm një orë pas vrasjes edhe 2 grupe të FNSH-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb