Vrasja e ish-drejtuesit të lartë të Policisë, Artan Cuku vijon të ngelet ende pa autorë. Ngjarja në fjalë u konsiderua si e mirorganizuar, e tipit mafioz dhe e kryer nga vrasës profesionistë, provat në vendngjarje flasin për të kundërtën, shkruan “Panorama”. Disa gjurmë gishtash në vendngjarje, por edhe mbetje biologjike që mund të shërbejnë për ndërtimin e një profili gjenetik, tregojnë se vrasësi nuk ka qenë shumë i kujdesshëm, apo në një moment i ka dalë situata nga kontrolli, shkruan “Panorama”.

Në vendngjarje janë fiksuar gjurmë të ndryshme gishtërinjsh, në mure e ashensor, mes të cilave hetuesit besojnë se mund të jenë dhe gjurmët e autorit. Në këtë përfundim është arritur pas verifikimit të pamjeve të ndryshme filmike, të fiksuara nga disa kamera sigurie, ku autori shfaqet para dhe pas krimit. Nga pamjet është konstatuar se ai nuk ka pasur doreza në duar dhe gjatë përplasjes që mund të ketë pasur me Cukun, ka lënë gjurmët e tij në vendin e ngjarjes. Burime nga grupi hetimor thanë se janë marrë të gjitha gjurmët e gishtave në vendngjarje, të cilat fillimisht do të krahasohen me ato të banorëve të pallatit, të Artan Cukut e bashkëshortes së tij. Nëse nga krahasimi do të rezultojnë gjurmë të paidentifikuara, burimet thonë se ato mund t’i përkasin autorit të krimit. Në momentin që do të arrihet në këtë fazë, ato do të krahasohen me gjurmë personash me precedentë të mëparshëm, që ndodhen në sistemin e Policisë Kriminale.
Artan Cuku
PROVAT
Burime nga grupi hetimor thanë se në vendngjarje janë fiksuar edhe disa mbetje biologjike që mendohet se i përkasin autorit të krimit. Për këtë arsye, në Laboratorin e Kriminalistikës ka nisur ekzaminimi i tyre për të arritur ndërtimin e një profili gjenetik, që mund të ndihmojë në identifikimin e autorit. Nga ana tjetër, burimet thonë se të gjithë personave të shoqëruar, qoftë nga puna operative e Policisë, apo atyre që janë identifikuar si të dyshuar nga qytetarët që kanë telefonuar pas shfaqjes së pamjeve filmike, u janë marrë gjurmët e gishtave. Ato janë arkivuar dhe në fund të ekzaminimit të gjurmëve të fiksuara në vendngjarje do të ketë veprime konkrete nga ana e Policisë.

Megjithatë, duket se deri tani ende nuk ka ndonjë të dyshuar konkret nga ana e grupit hetimor. Publikimi i pamjeve filmike të autorit dhe shpërblimi prej 10 milionë lekësh të rinj i vendosur nga Policia, ka ndikuar ndjeshëm te qytetarët, që vazhdimisht telefonojnë për të dhënë informacionet që ata pretendojnë se kanë. Deri tani këto informacione nuk kanë rezultuar të sakta, edhe pse telefonatat sa vijnë e rriten çdo ditë. Edhe Policisë Kufitare i është kërkuar që të verifikojnë të gjitha hyrje-daljet nga Shqipëria, para dhe pas vrasjes së Artan Cukut./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: