TIRANË- Prelë Daka, babai i dy vëllezërve për të cilët policia deklaroi se janë shpallur në kërkim si porositës të vrasjes së komisar Cukut ka folur ekskluzivisht për “News24” e “Balkanweb” duke i kërkuar policisë t’i lërë rehat djemtë dhe familjen e tij.
Ai ka theksuar sërish se familja e tij e ka mbyllur njëherë e mirë problemin me familjen e komisar Artan Cukut dhe se janë të pafajshëm. Prelë Daka ka deklaruar se mezi sigurojnë jetesën e jo më të kenë para për të paguar vrasës.
“Familja jonë e ka mbyllur njëherë e mirë problemin me familjen e Artan Cukut. Nuk e kuptoj përse policia e shqetëson familjen tonë. Ne po punojmë në shtëpi dhe Bujari është këtu. Jemi tërësisht të pafajshëm dhe nuk e kuptoj çfarë policie është kjo. S’kemi asnjë lidhje me atë ngjarje dhe djemtë e mi nuk janë shpallur në kërkim por jemi të gjithë të lirë. Me zor jetojmë e jo më të kemi para për të paguar vrasës”, ka deklaruar ai.
(m.k/BalkanWeb)