TIRANË- Ndërsa hetimet për zbardhjen e atentatit të dy ditëve më parë ku u ekzekutua në mënyrë mafioze komisari Artan Cuku i ka marrë në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton në tre pista, policia gjen një provë të rëndësishme në vendin e ngjarjes.

Prej ditësh blutë e kryeqytetit kryejnë kontrolle përreth vendit të ngjarjes për të gjetur armët e krimit, pasi dyshohet se ka pasur dy të tilla, të cilët autorët mund t’i kenë hedhur, gazeta “Panorama” raporton se është gjetur një qese e dyshimtë me rroba.

Efektivët e rendit e kanë gjetur qesen me rroba të hedhur pas Postës nr.8 dhe kanë dyshime që ato mund të jenë rrobat e ndonjërit prej autorëve. Nisur nga këto dyshime, ato janë dërguar për analiza shkencore në Laboratorin e Kriminalistikës.

NGJARJA
Zyrtari i policisë, me disa poste të rëndësishme në karrierën e tij u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës rreth orës 20:00 në sheshpushimin e pallatit ku banonte në rrugën e “Kosovarëve”. Mësohet se Cuku kishte qenë nën shoqërinë e bashkëshortes dhe dy fëmijëve dhe është ndarë nga ta për të shkuar në market. Ndërsa familja është ngjitur lart, komisarin e priste atentatori në hyrje të pallat, një person, identikiti i të cilit është ndërtuar tashmë. Bçhet fjalë për një djalë të ri, të gjatë, rreth 25 vjeç dhe që mbante veshur rroba të zeza si dhe një kapele në kokë.

Nga hetimet dhe mënyra e ekzekutimit, ka dyshime që atentatori mund të jetë një killer me pagesë. Këtë e përforcon dhe fakti që ai është larguar në këmbë në një zonë të populluar, duke e bërë më të vështirë identifikimin. Deri më tani policia ka shoqëruar 11 persona, por ende nuk ka arritur në gjurmët e killerit, apo persona të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të.

Ish-kryepolici i Vlorës, Artan Cuku ishte i martuar prej 7 vitesh dhe la pas dy fëmijë të mitur, vajzën 6 vjeç e gjysmë dhe djalin 3 vjeç, të cilët bashkë me nënë e tyre janë marrë në mbrojtje nga policia që pas atentatit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: