Rëndohet pozita e Blendi Tetës, të vetmit të arrestuar për përfshirje në vrasjen e Santjago Malkos. Ai po hetohet nga prokuroria për Krime të Rënda për akuzën e vrasjes së kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Babai i dy fëmijëve u arrestua fillimisht pas dyshimeve për akuzat e moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Ai pohoi se është gjendur në shoqërinë e vëllezërve Leonard e Erlis Duka, dhe miqve të tyre, Aleksandër Maxhaku, Ilir Selmani, Dritan Agaj, Oltian Logaj si dhe Fatmir Hysenin, i njohur si Doqa deri pak minuta përpara se të ekzekutohej ish–oficeri i Patrullës së Përgjithshme.

Por alibia e tij ka rënë, pasi nga hetimet ka rezultuar se Teta është gjendur pranë makinës luksoze së Malkos, në momentin kur 26-vjecari u qëlluar për vdekje.

“Blendi Teta është lidhje e ngushtë me personat e dyshuar për vrasjen e Santjago Malkos. Në ditën që është bërë ekzekutimi ai ka qenë duke drekuar në shoqërinë e tyre. Ai është kapur nga kamerat e sigurisë pranë makinës së viktimës dhe pas ngjarjes është larghuar duke iu fshehur policisë. për këto shkaqe, duhet të hetohet edhe për veprën penale të vrasjes me paramendim”, arsyeton gjykata.

Pas krimit, teksa negocionte me ndihmën e bashkëjetueses së tij me policinë, ndërkohë thurte plane për t’u larguar drejt shtetit të Kubës, pasi sic thuhet në dosje, ai kishte aplikuar për tu pajisur me vizë.

Ndërkohë për të hedhur dritë mbi motivin e krimit, Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka marrë në duar hetimin e dosjes, është duke kryer verifikime edhe për një udhëtim të Leonard Dukës, në Spanjë pak ditë para ekzekutimit të Malkos.

Nga hetimet rezulton se Blendi Teta ka hyrë në territorin shqiptar nga pika kufitare e Morinës, mbrëmjen e 22 gushtit 2019, bashkë me Aleksandër Maxhakun, Leonard Dukën dhe Fatmir Hysenin.

Automjeti me të cilin udhëtonin ka qenë i markës Mercedes benz i blinduar, që drejtohej nga Maxhaku.

Blendi Teta u tha hetuesve se ai ka shoqëruar Maxhakun, për në aeroportin e Prishtinës, pasi do të prisnin dy miqtë e tyre, Duka dhe Hyseni, që do të ktheheshin nga Spanja.

Për ekzekutimin e ish-oficerit të Patrullës i vetmi i arrestuar është Teta, ndërsa tetë personat të tjerë janë shpallur në kërkim.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb