VLORË- Dy ditë pas ekzekutimit të 40-vjeçarit Fatjon Sinani në Vlorë, të tjera detaje zbulohen nga hetimi. Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se policia po heton edhe në një pistë krejt të ndryshme nga ato të mëparshmet për zbulimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.

Sipas Mehmetit, një pistë e motiveve të vrasjes së tropojanit dyshohet për çështje të lëndëve narkotike. Kjo pasi Sinani dyshohet se ka punuar në një parcelë me kanabis që u zbulua vitin e kaluar në një fshat të Vlorës dhe dyshohet se viktima spiunoi për parcelën.

Në pranga, i dyshuar për vrasjen është vënë një 42-vjeçar, i cili vijon të mohojë autorësinë e krimit. Po kështu një person është shpallur në kërkim. Ndërkaq mësohet gjithashtu se pak metra larg vendit të vrasjes policia gjeti edhe pistoletën tip “Beretë”.

Fatjon Sinani u ekzekutua mbrëmjen e së martës para syve të bashkëshortes së tij, në derën e shtëpisë së tij në Vlorë në rrugën “Ali Demi” pranë spitalit të qytetit.

Prej 4 vitesh Sinani, me origjinë nga Tropoja jetonte në qytetin bregdetar, bashkë me të shoqen. Banorët e zonës e përshkruajnë si një njeri të qetë.

Bashkëshortja e tij punonte si rrobaqepëse, ndërsa Sinani si punëtor krahu. Burime të policisë thanë për “BalkanWeb” se Sinani nuk kishte precedentë penalë. Dyshimet e para për ekzekutimin ishin mbi ndonjë konflikt ose ngjarje të kaluar në Tropojë. Makina që dyshohet se përdorën vrasësit e Fation Sinanaj u gjet e braktisur nga policia e Vlorës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: